Shpenzimet e darkës së Vitit të Ri, nga viti në vit ndryshojnë sipas të ardhurave të çdo familjeje. Pavarësisht çmimeve, blerjet kanë nisur. E sigurt është që darka e 31 dhjetorit do të ketë një çmim të kripur. Tradicionalisht, darka është gjithnjë e bollshme. Ka në qendrën e saj gjelin e detit dhe është e plotësuar me çdo lloj tjetër ushqimi.

Të pyetur nga afër qytetarët, besnikë të tregjeve, shprehen se kanë menduar tashmë për këtë darkë, e cila, si çdo vit, të jetë e pasur. Por, ka edhe nga ata që do ta festojnë ndërrimin e viteve në restorantet e qytetit.

Shefi i restorantit, në një prej hoteleve më prestigjioze në kryeqytet bën të ditur se tashmë ka nisur interesi i qytetarëve, për të pronotuar. Drejtuesit e lokaleve kanë menduar që kjo darkë të ketë një vlerë të përballueshme për qytetarët shqiptarë, duke përfshirë në menu edhe argëtimin.

Çmimet e produkteve

Tryeza e festave, për disa pritet të jetë me e varfër e për disa të tjerë më e pasur. Këtë e vërtetojnë si ata që merren çdo ditë me konsumatorët, por edhe vetë këta të fundit që përballen me çmimet e produkteve, të cilat në fund të vitit pësojnë gjithnjë rritje, pavarësisht politikave që po ndiqen nga autoritetet lokale. Tregtarët edhe këtë fund viti, ankohen për shumë pak blerës krahasuar me muajt paraardhës.

Ata thonë se çmimet nuk kanë lëvizur, por blerjet kanë mbetur në vend. “Shumë më pak blerës. Çmimet nuk janë rritur të them të drejtën. Një diçka e gatshme, jo vetëm që nuk është e freskët, por është edhe më e shtrenjtë. Po të marrësh një kilogram kadaif në pastiçeri, bën 20 mijë lekë, këtu bën 2 mijë lekë të vjetra dhe 2 mijë lekë sheqer. Me 5 mijë lekë të vjetra e bën një ëmbëlsirë, kurse ta marrësh një kilogram kadaif në pastiçeri do 20 mijë lekë”, -thotë një tregtar. “Malli është i freskët, çmimet janë normale se ka shumë kontroll nga bashkia dhe ata nuk i ngrenë çmimet fare. Blejnë, por nuk ka shumë”, – thotë një grua.

Përballë kësaj situate gjenden konsumatorët. Për disa tryeza e festave do të kushtojë shumë, pasi, sipas tyre, çmimet janë të kripura, ndërsa për disa të tjerë ato janë normale. “Çmimet janë shumë mirë, normale”,- thotë një qytetare. “Çmimet nuk janë rritur shumë, por ne nuk kemi takat t’i blejmë. Edhe vjet kështu kanë qenë çmimet edhe pse është shpejt të themi. Bashkia e Tiranës, çdo ditë monitoron çmimet e tregjeve të ndryshme në kryeqytet. Megjithatë, është ende herët për të thënë se ato janë të ekuilibruara, pasi është bërë traditë tashmë që ditët e fundit kur nis dhe numërimi mbrapsht, kurba e çmimeve rritet papritur.