SHKRUAN PËR DURRESLAJM: BUJAR QESJA

10 shtator 2015 –  Tashmë shoqata e basketbollit “Dhimitraq Goga” është në zgjerim të reputacionit të saj në ngacmim të traditave të vyera dhe të hershme të basketbollit durrsak, por edhe të rizgjimit. Afro 10 ekipe moshash, me pjesëmarrje të mbi 200 basketbollistëve, stërviten për çdo ditë për të ringjallur atë sport, që ngrinte peshë tifozerinë dhe qytetarinë durrsake. Ardhja enkas nga Italia e të shquarit basketbollist Pjerin Bushati, duke lënë drejtimin e ekipit të minibasketit  Collefero Roma  e inkuadruar në akademinë “Stella Azura” të kryeqytetit italian, shërbeu si një ogur i mirë për rigjallërimin e basketbollit në Durrës. Këtij promovimi intensiv, i shërben edhe Turneu Memorial  Spiro Hotova, i cili kalon jo vetëm përtej Durrësit, por edhe Shqipërisë. Katër ekipet pjesëmarrëse nisin ballafaqimin sportiv me 11 shtator 2015, për ta përfunduar në mbrëmjen e 12 shtatorit. Dhe për dy ditë, ky lloj organizimi e kthen në kryefjalën e ditës sportin e basketbollit, për të ngacmuar sedrën dhe memorien e durrsakëve për t’iu drejtuar si dikur parketit të Ramazan Njalës.

SPIRO HOTOVA

Është një emër shumë popullor në Durrës. Një basketbollist i klasit të parë për bregdetarët, një njeri për t’u pirë në kupë dhe një shok e mik i pakëmbyeshëm. Por historia e Hotovës është sa e dhimbshme, aq edhe drithëruese: një karrierë e shkëlqyer sportive, largim me eksodin e 91-shit në Itali dhe një aksident fatal, duke e larguar nga jeta 2 dhjetor 1997. E duke vendosur përbëri kësaj edhe lindjen e tij 2 shkurt 1957, i bie që Spiro Hotova të mbyllë jetën e tij në 40 vite e 10-të muaj. Shumë me ritëm rinia e tij, ku shokët flasin për një basketbollist niveli dhe që renditet ndër më të mirët e basketbollit durrsak në vite. Belinës, motrës së tij, ende nuk i janë tharë lotët, kur kujton atë aksident fatal të 2 dhjetorit 1997 në Itali, ku një mjet i rëndë në ecje të gabuar, thith si përbindësh veturën, me të cilën udhëtonte Hotova, duke e ndërprerë që këtu jetën e basketbollistit të njohur. Ajo nuk gjen fjalë të falënderojë shoqatën  Goga Basket  për këtë turne memorial:

“U jam mirënjohës shokëve dhe miqve të Spiros, ku krahas evidentimit të figurës së tim vëllai, promovohen edhe vlerat e çmuara në vite të basketbollit durrsak. Do të përpiqem të sjell në pallat mamanë tonë 87-vjeçare Ollgën, por edhe djalin e vetëm të Spiros, Kristianin, që jeton në San Benedeto të Italisë”.

Hotova i lindur në vendin e njohur me histori të Durrësit tek  Pusi i Toponasë, që përfshihet në lagjen e famshme sportive  Sefer Efendiu, erdhi dhe u shpërngul në një banesë pranë parkut “Nako Spiro”, djep i basketbollit durrsak.

VLERËSIME

Hotova e mbrujti talentin e tij teksa luajti me emra të njohur të koshit durrsak si Niko Profkola, Vladimir Agaraj dhe të mbiemrave shumë të shquar dhe me histori në këtë sport si Rekat, Jorgonët, Kërtushët, Tatët etj. Besnik Çela, shok i ekipit, flet me shumë superlativa për Spiron. I ardhur nga radhët e të rinjve, ai përgatitet më tej nga mjeshtri i koshit Niko Hercek. Kujton Besnik Çela:

“Unë e kam gjetur Hotovën në ekip në vitin 1978, kur erdha nga Partizani. Spiroja 21-vjeçar kishte kohë që luante me ekipin e parë të Lokomotivës. Mund ta konsideroj pa as më të voglin ngurrim nga lojtarët më të mirë në Durrës. Shtatlartësia e tij, mbrojtja në tabelë, manovrimi teknik me topin, por sidomos precizioni i lartë në gjuajtjet nga distanca, e bëjnë Spiron të mbetet nga kapitujt e artë të topkoshit durrsak”.

Në kohën kur luajti Hotova me Lokomotivën, aktivizoheshin edhe basketbollistët Noti, Gashi, Belba, Veliu, Hyseni, Çumashi, Ballanca, Veshi etj. ku Profkola, Reka, Agaraj etj. veteranë bëheshin gati të ndërpritnin karrierën sportive. Thotë mjeshtri i koshit Niko Hercek:

“Më vjen keq që Hotova me pak përkrahje mund të renditej edhe mes figurave të njohura të basketbollit shqiptar. Ishte djalë me shumë talent dhe numri një i ekipit në periudhën 1978-88. Spiro Hotova është historia më tërheqëse e basketbollit në Durrës në këtë periudhë. Prandaj edhe ia vlen të kujtohet kësisoj”.

FAMILJA

Dramë më vete. Largimi nga jeta i Spiros, tronditi jo pak nëna Ollgën, motrat Belinën dhe Dianën, por edhe gruan e tij Meritën, djalin 6 vjeçar Kristianin, ndërsa e bija Lorena ishte vetëm 2 vjeçe. Vdekja e Hotovës u shoqërua me shumë dhimbje edhe në opinionin qytetar të Durrësit. Por fatkeqësitë për familjen Hotova nuk do të përfundonin këtu. Në moshën 11-vjeçare, pas një sëmundjeje kronike në mushkëri, humb jetën Lorena. Dhimbja i kaloi kufijtë e imagjinatës. Nga tronditja thuajse në limitin e një viti, vdes edhe e shoqja e Spiros, Merita, duke mbetur i vetëm (pa baba, nënë dhe motër) Kristiani tanimë 24 vjeçar. “E kemi mirëpritur këtë veprimtari kushtuar njeriut tonë më të afërt”, nënvizon në bisedën e saj Belina Hotova. Të shtunën vjen enkas edhe djali i Spiros, Kristiani. Një bravo të madhe për organizatorët. Një homazh jo vetëm për Spiron, por edhe një kurajë për basketbollin durrsak që të rizgjohet dhe të vihet në gjurmët e arta të traditës së tij, me mjaft emra të mëdhenj.

MEMORIALI

Gjërat janë kopsitur mirë e bukur. Moshat e ndryshme, që mendohet të jenë të pranishme në pallat, kanë rastin më të mirë për t'u argëtuar. “Do të shikojnë me sytë e tyre, – flet Igli Goga, ndër nismëtarët e kësaj veprimtarie, – hapat e para inkurajuese që është hedhur me ekipet e moshave nga 7-8 vjeç e deri në ato 16 vjeçare.” Në të gjithë qytetin, janë shpërndarë dhe afishuar programi i  Turneut Memorial Spiro Hotova  dhe kërkohet që pallati i sportit “Ramazan Njala” të mbushet si në ditët më të mira të basketbollit durrsak. Drejtori i akademisë  Goga Basket  Pjerin Bushati, i cili me dorën e tij ka vendosur në qytet afishe të mëdha ku njoftohet organizmi i këtij turneu ndërkombëtar, i pari i këtij lloji në Durrës, shpjegon:

“Jena munduar të praktikojmë edhe përvojat më të mira që i ndjek Italia fqinje në kësi rastesh. Kundrejt kujtimit dhe nostalgjisë të njërit prej ikonave të basketbollit në Durrës Spiro Hotova, evidentojmë edhe punën e nisur në basketbollin e moshave. Por kjo jo vetëm duke luajtur, por edhe në formë të demonstrimit të një festivali minibasketi. Kërkohet që sporti i koshit të bëhet pronë veçanërisht e moshave të vogla, për të krijuar atë lidhje organike deri në ekipin përfaqësues të të rriturve të qytetit”.

PROGRAMI

Organizatorët janë kujdesur, që gjithçka të kaloj mirë dhe këndshëm. Sipas të gjitha gjasave pritet një numër rekord pjesëmarrësish. Me qindra fletëpalosje janë shpërndarë në individë, lokale e bare, pika të ndryshme ku frekuentohen nga shumicë njerëzish për të njoftuar programin e dy ditëve të memorialit. Programi i ditës së parë hapet me një minibasket festival Goga, për të kaluar në demostrime teknike dhe ndeshje ndërmjet ekipeve të Goga superior U-10, U-12, U-14. Në orën 13.00 ndeshen Superior Basket Tiranë-Jadran Ulqin Mali i Zi dhe në orën 15.00 Superior Basket Tiranë-Pro Basket Dibër Maqedoni. Goga Basket Durrës-Sonia Basket Tiranë ndeshen në orën 18.00, për t’u mbyllur programi i ditës së parë me dyluftimin Superior Basket-Alba Basket Prishtinë. Në ditën e dytë, me 12 shtator në orën 11.00 në parket zbresin ekipet e Goga Basket Durrës-Jadran Ulqin dhe në orën 13.00 Pro Basket Dibër Maqedoni-Alba Basket Prishtinë. Në orën 16.00 është planifikuar një demonstrim i ekipit të femrave Goga Basket për U-16 dhe tek finalja e orës 18.00. Veprimtaria që organizon shoqata  Goga Basket, rrok edhe bashkëpunimin aktiv me Bashkinë e Durrësit dhe klubin shumësportesh Teuta.

Diçiturat

Foto 1: Pamje e pllakatit të Turneut Memorial Spiro Hotova

Foto 2: Spiro Hotova, i dyti nga e majta. Ulur në qendër e mirënjohura Bernardina Qeraxhia, trajnere, sportiste, poliglote dhe kuadër i shquar i sporteve dhe kulturës. 5 mars 1977.

Foto 3: Hotova, në dasmën e motrës Belinës, 23 qershor 1984.

Foto 4: Spiro Hotova

Foto 5 : Spiro Hotova

Foto 6: Vajza 11 vjeçare e Spiro Hotovës- Lorena. Larguar nga jeta me 11 shkurt 2006.

Foto 7: Varri mural i Spiro Hotovës. Lindi me 2 shkurt 1957 dhe i ndarë nga jeta në mënyrë aksidentale me 2 dhjetor 1997.

Foto 8: Familja e Spiro Hotovës.

/portali DurresLajm/