Humbja shokuese 6-1 e Romës ndaj rivalëve modestë të Bodo/Glimt ka tronditur Italinë e cila nuk e priste një disfatë të tillë nga yjet e Murinjos.Pas ndeshjes, kapiteni Lorenco Pelegrini dhe sulmuesi Tami Abraham janë drejtuar drejt tribunës të tifozëve verdhekuq ku ishin të pranishëm 400 prej tyre, duke bërë një bisedë të shkurtër.

Mediat italiane shkruajnë se kapiteni Pelegrini ka hequr fanellën e tij duke ua dhënë tifozëve, por këta të fundit kanë refuzuar dhe Pelegrini ka qenë i detyruar ta veshë përsëri fanellën. Pasi kanë diskutuar për 5 minuta, Pelegrini dhe Abraham i janë drejtuar dhomave të zhveshjes ku është mbajtur një diskutim në grup.

‘’Ka pak për të thënë, folëm me njëri-tjetrin në dhomat e zhveshjes. Duhet të kërkojmë falje dhe nga nesër të fillojmë të përgatitemi fort pasi ka ndeshje të forta që na presin para. Unë nuk jam i shqetësuar, por jam shumë i zemëruar’’, ishin fjalët e kapitenit Pelegrini pas ndeshjes.