Pasagjerët e linjave ajrore në Turqi të cilët heqin rripat e sigurisë ose zënë korridorin përpara se avioni të jetë ndalur plotësisht, do të përballen me gjoba sipas rregullave të reja të lëshuara nga autoriteti i aviacionit.

Rregullat e reja, që synojnë të forcojnë sigurinë dhe të sigurojnë zbritje të rregullt, hynë në fuqi në fillim të muajit.

Ato erdhën pas ankesave të pasagjerëve për shkelje të sigurisë pas uljes, sipas Drejtorisë së Aviacionit Civil të Turqisë.

Nuk është e pazakontë në Turqi që pasagjerët të çohen në këmbë ose të lëvizin nëpër kabinë sapo që aeroplani ulet, shpesh duke krijuar kaos gjatë zbritjes së tyre, raportoi AP.

Sipas rregullave të reja, pasagjerët do të paralajmërohen se në rast shkeljeje ata do të gjobiten.