Gjykata e Durrësit dha sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për Fredi Krasniqin, pronarin e “shtëpisë së barit” në Sallmone, Shijak, ku u zbuluan nga policia 444 rrënjë kanabis si dhe një arsenal armësh.
Para trupit gjykues, 46-vjeçari deklaroi se ishte detyruar të kryente këtë veprimtari të jashtëligjshme për arsye ekonomike, pasi ishte i sëmurë dhe duhet të kurohej jashtë vendit.
Pas seancës gjyqësore, avokati i tij mbrojtës Aleksander Ndrejaj deklaroi se klienti i tij është i sëmurë e për këtë arsye i kërkuan gjykatës një masë më të lehtë, “arrest shtëpie”, gjë që nuk u pranua.
Ashtu si klienti i tij, edhe avokati Ndrejaj deklaroi se arsenali i armëve i sekuestruar i përket vitit 1997 dhe Krasniqi po priste një amnisti për t’i dorëzuar ato në polici.
Avokati Ndrejaj përjashtoi mundësinë e implikimit në këtë çështje të vëllait tjetër Selman Krasniqi, i cili është shpallur në kërkim prej disa ditësh dhe ende nuk është bërë i mundur ndalimi i tij nga ana e policisë.
Lexo edhe:





