Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Fredi Krasniqin, pronarin e ndërtesës në Shijak ku u gjetën 444 rrënjë kanabis në katin e tretë dhe të katërt të ndërtesës.

46-vjeçari ka deklaruar para trupit gjykues se arsyet kanë qenë ekonomike pasi ishte i sëmurë dhe duhet të kurohej jashtë vendit.

Sa i përket arsenalit të armëve që iu gjetën në një ambient me mur të dyfishtë, ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim si gjatë marrjes në pyetje, se armët kanë ngelur aty që prej 1997-s.

Është shpallur në kërkim edhe vëllai tjetër Selman Krasniqi, 43 vjeç, i cili nuk ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin e arrestimit të 46-vjeçarit.

Hetimet e zhvilluara nga policia e Durrësit, kanë konkluduar në dyshimet se ambientet e përshtatura për kultivim dhe armët e sekuestruara janë financuar nga grupe kriminale. Nisur nga këto dyshime, armët e gjetura janë çuar për ekzaminim në policinë shkencore pasi nuk përjashtohet mundësia që të jenë përdorur në ngjarje kriminale. Ndërsa hetimet janë shtrirë tek lidhjet kriminale të dy vëllezërve, Fredi e Selman Krasniqi.