Avokati i Andi Rrajës, një prej të arrestuarve në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj dy kushërinjve, Bilbil dhe Jashar Maja, ka kërkuar lehtësimin e masës së sigurisë për klientin e tij.

Avokati Ilir Murati ka argumentuar se dëmtimet mbi kushërinjtë Maja janë klasifikuar si plagosje e lehtë me dashje që parashikon dënim me gjobë ose me burgim deri në dy vite burg.

“Sipas parashikimeve të nenit 247/1 të Kodit Penal kjo vepër penale fillon vetëm me ankimin e të dëmtuarit, i cili mund ta tërheqë atë në çdo fazë të ankimit”, është shprehur avokati, duke theksuar se mbrojtja nuk është në dijeni të qëndrimit të viktimave lidhur me këtë fakt, por sipas tij ka të dhëna të bëra publike në media që ata janë shprehur që nuk kërkojnë ndjekje penale.

Prandaj për këto arsye, avokati Murati kërkon që Andi Rraja të hetohet jo me arrest me burg, por me detyrim paraqitjeje.

Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës zbuti akuzën ndaj 9 personave të arrestuar dhe shpallur në kërkim për dhunën ndaj dy kushërinjve Maja, pasi sipas një ekspertimi mjeko-ligjor dëmtimet nuk hynin tek ato që konsiderohen të rënda.

Edhe pse në një akt ekspertimi cili mban datën 24 korrik, disa javë pas ngjarjes,  konstatohet që dy të dëmtuarit kanë marrë lëndime, deri në thyerje të kockave, në kriterin mjekësor të parashikuar në ligj, ato klasifikohen në plagosje e lehtë.

Për këtë arsye, një ditë më parë, Prokuroria e Tiranës kërkoi riekspertim mjekësor ndaj dy kushërinjve Maja.

Në lidhje me dhunën ndaj tyre janë në burg Ineidi Rraja, Andi Rraja dhe Eni Kullaj, si dhe janë ende në kërkim Rexhep Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, Edison Meta dhe Përparim Rraja.