Ambasadori i OSBE Michel Tarran tha sot nga Pogradeci ku ndodhej për një agjendë pune, se puna për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale po vijon dhe ka mbështetjen e plotë të ndërkombëtarëve dhe ambasadës që ai përfaqëson.
Diplomati vuri në dukje se palët fillimisht punuan ngadalë dhe humbën kohë, por tani janë të gëzuar që ky proces po ecën, teksa pret edhe rezultate nga diskutimet për rekomandimin që është bërë në lidhje me financimin e partive.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është angazhuar në këtë punë për të mbështetur komisionin e posaçëm. Që nga fillimi kanë punuar ngadalë, kanë humbur kohë, por gëzohemi që kanë rifilluar punën e tyre. Dhe, siç e keni thënë, kanë punuar në temën e financimit të partive, që është një aspekt shumë i rëndësishëm i jetës politike në ndonjë vend demokratik, siç është tani Shqipëria. Sa i përket reformës, ne nuk jemi këtu për të propozuar, për të punuar një model. Ka modele të ndryshme, çdo vend e ka modelin e vet. Dhe ka probleme të ndryshme me organizimin e zgjedhjeve, ka rekomandimet që bëhen nga ODIHR-i çdo herë kur vijnë këtu për të vëzhguar zgjedhjet”, tha ambasadori për dy reformat aktuale dhe ligjin e financimit të partive.
Kurse për sistemin parlamentar, nismën e partive politike për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend, Tarran u shpreh se sistemin legjislativ e zgjedhin vetë shqiptarët dhe ndërkombëtarët nuk ndërhyjnë.
Ai e cilësoi “një problem të shqiptarëve”, duke shtuar se vende të ndryshme dakordësojnë sisteme të ndryshme.
“Ne jemi këtu për t’i ndihmuar në implementimin e këtij e këtyre rekomandimeve. Por, edhe njëherë, kjo nuk thotë që kemi një sistem preferuar këtu. Edhe njëherë, ka sisteme të ndryshme. OSBE-ja bëhet nga 57 vende pjesëmarrëse dhe çdonjëri ka sistemin e tij, dhe duhet që shqiptarët vetë të vendosin cilin sistem kanë dëshirë për ta implementuar këtu. Absolutisht, është prapë një problem i shqiptarëve, në të cilin nuk do të hyjmë. 150, 200, 50, 300 është problem i juaj dhe prapë në çdo vend ka situatë të ndryshme, duke shikuar sa banorë janë në Shqipëri, kuptoj që dikush konsideron që duhet të jetë më pak deputetë, ka argument tjetër që janë në favor të një numri më të madh. Çdo vend duhet të vendosë vetë, nuk është puna jonë për të komentuar këtë aspekt teknik”.
Në lidhje me pyetjen e hartës territoriale ambasadori u përgjigj se:
“Nuk jam i sigurt që do shkoni me hartën e re territoriale, nuk e di do shikojmë, deri tani nuk kam dëgjuar që do të jetë gati një hartë e re, e di që dhe këtu ka mendime të ndryshme, nuk është puna ime që të hy në këtë debat”.
Për pyetjen e pakënaqësive të partive të vogla në lidhje me reformën zgjedhore që dominohet nga partitë e mëdha ambasadori shprehet se sistemet bazohen në parimin e dy palëve, por përzgjedhja nëse do jetë sistem dypartiak si në SHBA apo si në Evropë me shumë parti, është çështje sërish e shqiptarëve.
“Ky lloj diskutimi ekziston në vendet e tjera gjithashtu, edhe prapë mund të kuptoj edhe vendimin e atyre partive që konsiderohen që nuk respektohen në mënyrën e duhur dhe që nuk u jepen mundësi për tu zhvilluar. Por duhet thënë që ka shumë vende ku sistemi bazohet në parimin e dy palëve, një parti e madhe ose një koalicion partish të mëdha nga njëra anë dhe një koalicion partish të mëdha nga ana tjetër. Ose dy parti, të mos flasim për Europën, por në Shtetet e Bashkuara ka dy parti, edhe gjithë përpjekjet që janë bërë nga aktorët e tjerë për të krijuar parti të tjera të vogla nuk kanë punuar atje dhe asnjëri nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara nuk janë një vend demokratik. Domethënë ekzistojnë sisteme të ndryshme. Jemi, mund të konsiderojmë që jemi akoma në periudhë tranzicioni në Shqipëri. Mendoj që duhet ta gjejnë një sistem që është më i përshtatshëm për vendin tuaj”, shpjegoi diplomati.
I pyetur për mbi tre dekada tranzicion që ka marrë pluralizmi politik në Shqipëri, Tarran tha se e dinte pasi kishte qenë më parë në vendin tonë dhe i kishte ndjekur proceset. Ai bëri edhe një historik të sistemeve të drejtimit të Shqipërisë ndër shekuj e vite.
“Po. Unë e di, unë kam qenë këtu. Nuk e di, ka periudha që kanë vazhduar më shumë. Perandoria Osmane ka qenë këtu 500 vjet, komunizmi ka qenë këtu 45 vjet. Tranzicioni nuk tregon që nuk thotë që nuk ka zhvillim. Zhvillimi vazhdon dhe mendoj që tranzicioni do të vazhdojë, dhe vazhdon tek ne gjithashtu, tek ne gjithashtu ndryshohet nganjëherë sistemi zgjedhor. Jam francez, ju e dini që në Francë kemi pasur disa reforma zgjedhore dhe jemi duke diskutuar. Në Francë ka disa parti që kërkojnë ndryshim të zgjedhjeve sepse konsiderojnë që sistemi i tanishëm nuk është i përshtatshëm”, përfundoi ambasadori.





