Nga Shpendi Topollaj

Edhe pse e dimë mirë që vdekja në çdo formë dhe mënyrë që vjen është e shëmtuar dhe e neveritshme, përsëri, ajo bëhet akoma më e urryer, kur shfaqet krejt papritur e pa asnjë paralajmërim, siç i erdhi në moshën 65-vjeçare, njeriut dhe mësuesit të nderuar Rifat Busulla. I lindur më 20 mars të vitit 1951 në Shkodër, ku familja e babait të tij Beqirit, ishte vendosur pas ikjes për rrethanat e njohura të kohës nga Ulqini, Rifati qysh në moshën pesë vjeçare erdhi së bashku me prindërit në qytetin e Durrësit, ku u rrit dhe kreu shkollën e mesme te gjimnazi “Gjergj Kastrioti”. Si të gjitha familjet e shumta që erdhën për të njëjtat arsye nga Ulqini dhe që me vlerat dhe virtytet e tyre ia shtuan hijeshinë qytetit tonë, edhe vëllezërit e motrat, dhe vetë Rifati, u bënë të nderuar dhe të respektuar nga të gjithë, sidomos për jetën e tyre prej njerëzish punëtorë, të thjeshtë dhe të ndershëm.

Rifati, adhurues i përhershëm i librit, vazhdoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në degën Gjuhë – Letërsi dhe pasi u titullua si mësues, punoi si i tillë në fshatrat e Kukësit. I ndërgjegjshëm për misionin e tij fisnik, ai përmes vështirësive dhe privacioneve të shumta, vuri gjithë dijet, pasionin dhe energjitë e tij në shërbim të nxënësve në fshatrat Shishtavec, Cernalevë dhe Lusen për shtatë vjet me radhë, gjersa u transferua në shkollën e mesme të Katundit të Ri të rrethit të Durrësit, ku qëndroi deri në vitin 1993. Pas ardhjes së demokracisë, e sjellin në shkollën e Mjeshtërisë Sportive “Bernardina Qerraxhija” si mësues dhe më pas si edukator konvikti, ku duke punuar sipas motos të Servantesit se “Jeta shembullore – shembulli më i mirë”, fitoi zemrat e nxënësve, kolegëve dhe shokëve e miqve të tij të shumtë.

Me një takt pedagogjik të spikatur, me urtësinë dhe mençurinë me të cilat dinte të komunikonte, por dhe korrektesën, preokupimin dhe kujdesin e pareshtur për gruan e tij, të mirën Drita, për vajzat e mrekullueshme, Gladiolën mësuese dhe poete, dhe Berindën ekonomiste, si dhe për tre fëmijët e tyre, dy mbesat e nipi, që ishin pasuria e tij, (siç shprehej shpeshherë), ai si rrallëkush meriton ato fjalët e atij filozofit të vjetër se “Jeton me të vërtetë, vetëm atëherë kur gëzon dashurinë e të tjerëve”. Thuajse, i kishte realizuar të gjitha, ndaj e priste daljen në pension me qetësi dhe me një fare krenarie të fshehur, për rrugën e tij të ndershme nga i kaloi jeta, si një fazë logjike dhe të natyrshme, për të shijuar reminishencat e kënaqësitë që të jep kujtesa subkonshiente, kur ke ndjekur postulatin human dhe të vjetër sa vetë bota se “Për dashuri, jo për urrejtje kam lindur”.

Dhe teksa përgatitej për të medituar për jetën, tinëzisht e rrëmbeu vdekja. Vdekja që e ndau përfundimisht nga gëzimet e jetës dhe që na hidhëroi ne, familjarëve, të afërmve, shokëve e miqve të tij, aq shumë sa nuk na mbetet tjetër për t’u ngushëlluar, veçse të evokojmë shprehjen që artikuloi nipi për gjyshin e tij Justin Gogard, mikun e madh të shqiptarëve se “Dhe mua më vjen mirë të besoj se ai u largua i gjallë nga kjo botë”. Dhe i tillë do të mbetet për jetë, miku ynë i paharruar, ulqinakasi – durrsak Rifat Busulla.