Ish-kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci është ndarë papritur nga jeta në moshën 64-vjeçare. Haluci humbi jetën mëngjesin e sotëm në bjeshkët e Tropojës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.
Sipas informacioneve paraprake, Haluci u ka komunikuar familjarëve gjatë mëngjesit se nuk po ndihej mirë. Pas pak minutash, ai është gjetur i pajetë.
Ende nuk ka një përcaktim zyrtar për shkakun e vdekjes, ndërsa ekspertiza mjekoligjore pritet të japë të dhëna mbi rrethanat e ngjarjes.
Haluci shërbeu si gjyqtar në Gjykatën e Vlorës dhe e drejtoi këtë gjykatë gjatë viteve 2011–2014. Në vitin 2020, ai u shkarkua nga detyra në kuadër të procesit të Vettingut.
Emri i tij është përmendur në një prej ngjarjeve të bujshme të periudhës komuniste. Në vitin 1983, Haluci u arrestua dhe u dënua fillimisht me vdekje, nën akuzën për përfshirje në një atentat të pretenduar ndaj Ramiz Alisë. Më pas, dënimi iu zëvendësua me 25 vite burg.
Haluci e ka mohuar përfshirjen në atentat dhe ka deklaruar ndër vite se i kishte shpëtuar pushkatimit për shkak të situatës së krijuar në Has dhe Tropojë pas ekzekutimeve të disa personave.





