Babai i 23-vjeçarit Klajdi Bitri, që mbeti i vrarë pas një konflikti në Itali, ka kërkuar ndihmë për kthimin e trupit të djalit.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka ndërhyrë për pajisjen e menjëhershme me pasaportë të babait, në mënyrë që të udhëtojë drejt vendit fqinj, për të marrë trupin e 23-vjeçarit.

Ndërkohë, është kontraktuar agjencia funerale për transportin dhe do të jetë Bashkia Lushnje që do të mbulojë shpenzimet e sjelljes në atdhe të trupit.

Ngjarja tragjike ndodhi dy ditë më parë në Ankona të Italisë, ku Klajdi Bitri humbi jetën duke mbrojtur një shokun e tij pas një mosmarrëveshjeje në rrugë.

Sipas mediave italiane, algjeriani i cili udhëtonte me partneren e tij me një makinë të tipit “Poli”, kishte para një makinë që po ecte ngadalë. Atij i ka humbur durimi dhe ka dalë nga makina duke rrahur shoferin, një burrë që po udhëtonte me gruan dhe fëmijët e tij të vegjël. Sipas mediave italiane, babai kishte ngadalësuar shpejtësinë për të kuptuar se në cilin drejtim duhet të shkonte. Aty pranë ishte një makinë e tretë, ku udhëtonin të rinjtë, mes të cilëve edhe viktima 23 vjeç. Klajdi Bitri ka dalë nga makina dhe i ka shkuar në ndihmë, por kjo ndërhyrje, rezultoi fatale për të. Sulmuesi u kthye tek makina e tij poli Polo, ka marrë shtizën e peshkimit dhe e ka gjuajtur në gjoks.