Paraditen e sotme, ndërsa Kuvendi Kombëtar i PD-së bëhej gati të niste punimet, disa nga 350 kandidatët në garë për 100 vendet në Këshillin Kombëtar të forcës më të madhe opozitare deklaruan tërheqjen nga gara, përmes statuseve në profilet e tyre në rrjetet sociale.
Erla Mëhilli, Edvin Kulluri, Arben Skënderi, Mimoza Hajdarmataj, Edith Harxhi etj konfirmuan tërheqjen nga gara. Në media qarkulloi edhe emri i ish-deputetit të Durrësit, Igli Cara, megjithëse ish-kreu i degës së PD-së së Durrësit nuk ka reaguar në rrjetet sociale.
I kontaktuar nga DurrësLajm për këtë çështje, Cara refuzoi të kthente përgjigje. Duke pasur parasysh profilin e lartë politik të zotit Cara deri dy vite më parë në Durrës, si deputet dhe kryetar dege i PD-së, dhe njëkohësisht si një person me njohje të shumta në qytetin bregdetar, ish-deputeti duhet të bëjë publik qëndrimin e tij në lidhje me partinë ku ka kontribuuar për shumë vite me rradhë.
Jo për transparencë mediatike, por për të qenë transparent në qëndrimet e tij për shumë demokratë dhe dashamirës të tij në qytetin bregdetar, që i kanë besuar dhe i kanë dhënë votën për vite me rradhë.





