Pasagjeri serb Ljubisa Karovic ka rrëfyer për “The Guardian” përvojën dramatike që përjetoi gjatë një fluturimi nga Greqia drejt Gjermanisë, kur një dritare e avionit u dëmtua, duke shkaktuar humbje të presionit në kabinë.
61-vjeçari tregon se gjithçka nisi me një shpërthim të fortë që e zgjoi nga gjumi, përpara se të thithej pjesërisht nga dritarja e avionit, ndërsa mbeti i lidhur me rripin e sigurimit. Ai beson se pikërisht rripi i sigurimit që i shpëtoi jetën.
“Jam me fat. Nuk mbaj mend shumë dhe koka dhe qafa më dhembin ende, por jam ende gjallë. Mund të ketë qenë rripi i sigurimit, fakti që isha ende i lidhur. Por ndoshta është fati. Unë besoj në Zot dhe e falënderoj atë çdo ditë”, tha ai.
Sipas tij dhe bashkëshortes Svetlana, pasagjerët reaguan menjëherë për ta tërhequr brenda dhe për të bllokuar hapjen e dritares. Ata pretenduan gjithashtu se ekuipazhi i kabinës nuk ndërhyri në momentet e para. Gruaja e tij veçon ndihmën e një pasagjeri shqiptar, i cili bëri përpjekje vendimtare për ta shpëtuar.
“Edhe unë nxitova. Asnjë nga ekuipazhi i kabinës nuk ndihmoi. Ishin pasagjerët. Një burrë, mendoj se ishte shqiptar, ishte i jashtëzakonshëm. Bëri gjithçka që mundi për ta futur brenda dhe pastaj u përpoq ta bllokonte dritaren, së pari me një çantë që u thith menjëherë dhe pastaj me një valixhe, gjë që funksionoi. I jemi përjetësisht mirënjohës.”, tha Svetlana.
Ryanair i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke deklaruar se ekuipazhi veproi sipas procedurave të sigurisë. Sipas kompanisë, gjatë uljes emergjente stafi ishte i detyruar të qëndronte i lidhur me rrip dhe me maska oksigjeni derisa avioni të arrinte një lartësi të sigurt. Më pas, ekuipazhi ndihmoi burrin, e zhvendosi pranë bashkëshortes dhe siguroi asistencë mjekësore deri në uljen e sigurt në Selanik.
“Nuk kemi asnjë ankesë me pilotin, i cili ndoqi protokollet e sigurisë dhe e trajtoi situatën shumë mirë. Klienti im ra të fikët dy ose tre herë, një herë jashtë avionit kur u thith pjesërisht nga dritarja dhe dy herë brenda kur, përsëri, humbi ndjenjat. Në asnjë moment ekuipazhi i kabinës nuk ofroi ndihmë”, tha avokati i çiftit.
Duke përmendur dëshmitarët, avokati pretendoi se personeli i ekuipazhit të kabinës ishte i paralizuar nga frika, ndoshta e shkaktuar nga bindja se me humbjen dramatike të lartësisë, avioni ishte gati të rrëzohej.
“Të gjithë kanë rënë dakord se ekuipazhi ishte në gjendje shoku, nga frika se mos avioni ishte gati të rrëzohej. Ishin pasagjerët e tjerë që u mblodhën dhe i dhanë ujë”, shtoi ai.
Karoviç, i cili u lirua nga spitali pas trajtimit të plagëve, vazhdon të vuajë nga dhimbjet në kokë dhe qafë, ndërsa mjekët kanë paralajmëruar se rikuperimi do të jetë i gjatë.





