Vonesat e fluturimeve të kompanive ajrore (veçanërisht atyre “low cost”) kryesisht në linjat Shqipëri-Itali, prej kohësh janë shkaktare të pritjeve disa orëshe në terminale dhe irritimit të udhëtarëve, të cilët në një pjesë të madhe, mjaftohen me shfryrje në rrjetet sociale apo midis tyre.
Por në fakt, shfryrja nuk ka përse të jetë i vetmi reagim në raste të tilla, duke qenë se ekziston një rregullore europiane e të drejtave të pasagjerëve ajrorë, që përcakton mundësitë e kompensimit apo rimbursimit, në rastet kur fluturimi vonohet, anulohet apo nuk ju lejohet të ngjiteni në bord.
Sipas rregullores, çdo pasagjer i pakënaqur mund të plotësojë një formular ankese, i cili mund të ndiqet edhe më tej nëse nuk jeni të kënaqur me kompensimin apo rimbursimin. Por duke qenë se kjo rregullore vlen vetëm për vendet anëtare të BE-së, pasagjerët që nisen nga aeroporti “Nënë Tereza”, mund të përfitojnë prej saj vetëm në rastet kur kompania ajrore është e regjistruar në një vend të BE-së, siç ishte rasti i “Blue Panorama”.





