Homazhet në nderim të efektivit të Forcave “Shqiponja” Enea Mekolli, i cili u vra një ditë më parë në krye të detyrës gjatë një operacioni në një zonë malore të Maliqi, do të zhvillohen pranë Qendrës Kulturore Pogradec.

Homazhet do të nisin në orën 10:00 dhe do të vijojnë deri në 12:00. Në këtë ditë zie dhe respekti, familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë do t’i japin lamtumirën e fundit efektivit të shpallur “Dëshmor Atdheu”.

Familja e efektivit kërkoi që të mos varroset në Varrezat e Dëshmorëve siç e parashikon statusi, por në fshatin e tij.

“Homazhet në nderim të Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli, do të mbahen pranë Qendrës Kulturore Pogradec, nga ora 10:00 deri në 12:00. Në këtë ditë zie dhe respekti, familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë do t’i japin lamtumirën e fundit birit të devotshëm që ra në krye të detyrës, duke shërbyer me përkushtim ndaj rendit, sigurisë dhe atdheut. Përcjellja për në banesën e fundit do të zhvillohet në orën 14:00, në fshatin Blacë. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij dhe i paharruar sakrifica në shërbim të vendit. Lavdi Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli! “, thuhet ne njoftim.

Efektivit i forcave Shqiponja u vra një ditë më parë gjatë në operacioni për arrestimin e të kërkuarit Violand Braçellari në Maliq, ndërsa i plagosur mbeti kolegu i tij, Edison Adri, i cili ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës.

Ai u qëllua për vdekje me kallashnikov nga 43-vjeçari gjatë një skëmbimi zjarri me policinë. I plagosur mbeti edhe vetë autori. 43-vjeçari Braçellari ndodhej prej vitesh në kërkim pasi ishte dënuar për lëndë narkotike.