Udhëheqësi militant kurd Abdullah Ocalan u ka kërkuar pasuesve të tij në Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) që të çarmatosen dhe të shpërndajnë grupin, duke i dhënë fund një konflikti të gjatë me Turqinë që vlerësohet të ketë vrarë të paktën 40,000 njerëz.

Unë po bëj thirrje për dorëzimin e armëve dhe marr përgjegjësinë historike të kësaj thirrjeje”, tha lideri i burgosur në një deklaratë, që u lexua nga ligjvënësit turq.

“ Të gjitha grupet duhet të lënë armët dhe PKK-ja duhet të shpërbëhet”, thuhej më tej.

Turqia ka qenë në luftë me PKK-në për gati pesë dekada. Pjesa më e madhe e këtij konflikti është fokusuar në dëshirën e grupit për të krijuar një shtet të pavarur kurd në juglindje të vendit, por vitet e fundit grupi ka bërë thirrje për më shumë autonomi brenda Turqisë.

Në muajt e fundit, perspektivat e paqes kurdo-turke u rimbushën nga një hap i pazakontë nga ligjvënësi turk i ekstremit të djathtë Devlet Bahçeli, një aleat i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili e ftoi Ocalan të vinte në parlament dhe të “deklaronte se i kishte lëshuar armët”.

Ocalan i bëri një thirrje të ngjashme pasuesve të tij një dekadë më parë, por procesi i paqes i vitit 2013 shpejt u rrëzua pasi tensionet rindezën, duke e tërhequr Turqinë dhe PKK-në përsëri në një luftë të përgjakshme dhe duke i dhënë fund një armëpushimi dy-vjeçar.

Disa ekspertë thonë se vite të tëra luftimesh e kanë lodhur PKK-në dhe se Erdogan po shfrytëzon mundësinë për t’i dhënë fund konfliktit në një mënyrë që siguron që Turqia të dalë si fituese.

Berkay Mandiraci, një analist turk në grupin ndërkombëtar të krizës në Bruksel, tha se Turqia po përpiqet t’i japë fund konfliktit “kryesisht sipas kushteve të saj“, duke shtuar se “pas një dekade luftimesh të rënda, grupi është dobësuar ndjeshëm”.

Mbetet ende për t’u parë se çfarë lëshimesh, nëse ka, qeveria Erdogan është e gatshme t’i bëjë PKK-së ose kurdëve të Turqisë në këmbim.

Deklarata e Ocalan mund të ketë gjithashtu implikime të gjera rajonale, veçanërisht në Siri, ku një milici kurde e lidhur me PKK-në e quajtur Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG) përbën shtyllën kurrizore të forcës së mbështetur nga SHBA-ja që luftoi ISIS-in.

Militantët e mbështetur nga Turqia në vend janë përfshirë në beteja intensive me YPG-në që nga përmbysja e ish-presidentit sirian Bashar al-Assad në dhjetor. Është e paqartë se si një thirrje për paqe nga Ocllan mund të rezonojë mes militantëve kurdë në Siri dhe Irak.

Në një deklaratë për CNN, një zëdhënës i YPG vlerësoi “mesazhin historik” të Ocalan të enjten si një mesazh që “u shërben interesave të të gjithë njerëzve në rajon; populli kurd, turqit, armenët dhe të gjitha komunitetet e tjera që jetojnë në Lindjen e Mesme.”