UEFA ka reaguar me një mesazh ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të futbollistit 22-vjeçar të AF Elbasanit, Fatjon Bunjaku.
Në një postim të ndjerë, institucioni europian i futbollit i ka përcjellë ngushëllime Federatës së Futbollit të Kosovës, duke shprehur mbështetjen në këtë moment të vështirë për komunitetin sportiv.
“Ne shprehim ngushëllimet dhe mbështetjen tonë më të thellë për Federatën e Futbollit të Kosovës pas ndarjes nga jeta të 22-vjeçarit Fatjon Bunjaku. Mendimet tona janë me familjen, miqtë dhe ish-shokët e tij të ekipit gjatë kësaj kohe të vështirë”, thuhet në reagimin e UEFA-s.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në botën e futbollit, ndërsa figura të ndryshme sportive kanë shprehur solidaritet me familjen dhe të afërmit e të riut.
Fatjon Bunjaku ishte një nga emrat e rinj të futbollit shqiptar, ndërsa me ndarjen e tij nga jeta pas një aksidenti tragjik ka lënë pas një dhimbje të madhe në komunitetin sportiv.





