Një studim i ri shkencor po sfidon një nga teoritë më të pranuara për origjinën e ujit në Tokë, duke sugjeruar se ky element jetik mund të ketë qenë i pranishëm që në formimin e planetit tonë.

Prej kohësh, shkencëtarët janë ndarë mes dy teorive kryesore: njëra pohon se uji është sjellë në Tokë nga kometat dhe asteroidët pas formimit të saj, ndërsa tjetra sugjeron se uji ka qenë që në fillim pjesë e përbërjes së Tokës së hershme.

Tani, studiues nga Universiteti i Oksfordit thonë se kanë gjetur prova që mbështesin këtë të fundit. Ata kanë analizuar një lloj të rrallë meteoriti, të quajtur kondrit enstatit, i cili ngjan shumë me përbërjen e Tokës 4.5 miliardë vjet më parë. Në një prej këtyre meteoritëve, të gjetur në Antarktidë, ata zbuluan gjurmë të hidrogjenit – një përbërës kyç për formimin e ujit.

Sipas studiuesve, fakti që ky hidrogjen gjendet në materialin e ngjashëm me atë nga i cili u formua Toka, tregon se planeti mund të ketë pasur ujë që në lindjen e tij. “Ne besojmë se materiali ndërtues i Tokës ishte më i pasur me hidrogjen sesa mendonim më parë,” tha bashkautori James Bryson.

Tom Barrett, udhëheqësi i studimit të publikuar në revistën shkencore Icarus, u shpreh se rezultatet e tyre ofrojnë prova të forta që uji në Tokë është primordial – domethënë, i pranishëm që në fillim dhe jo i sjellë më vonë nga trupa të jashtëm qiellorë.