Partia Demokratike ka denoncuar një rast të dyshuar për shitblerje vote që, sipas saj, ka ndodhur këtë të shtunë në zonën e Shkozetit në Durrës. Sipas deklaratës zyrtare, rreth orës 18:47 dy persona të identifikuar si Ard Nova dhe një tjetër me pseudonimin “Laku”, janë filmuar teksa shpërndanin zarfe nëpër banesa me motor, përmes bashkëpunëtorëve të tjerë.
PD njofton se disponon video nga momenti i dorëzimit të një zarfi, të cilin e ka referuar tashmë pranë SPAK-ut si provë materiale.
“U bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë, dhe në veçanti SPAK-ut, të nisin menjëherë hetimet për këtë rast dhe për çdo rast tjetër të ngjashëm, përfshirë dhe praktikat e paligjshme siç është asfalti elektoral vetëm një ditë para votimeve,” thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.
Vetë kreu i PDASHM, Sali Berisha ka reaguar për këtë ngjarje përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar videon e momentit bashkë me mesazhin e qytetarit denoncues. Në reagimin e tij, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama për veprime kriminale të orkestruara, siç thotë ai, nga frika e humbjes.