SHBA dhe Ukraina duket se kanë arritur një marrëveshje për mineralet e rralla të Ukrainës, njoftuan mediat ndërkombëtare sot.
Financial Times citon zyrtarë ukrainas të cilët pretendojnë se Kievi është gati të nënshkruajë një marrëveshje për zhvillimin e burimeve minerale, duke përfshirë naftën dhe gazin natyror.
Teksti përfundimtar nuk përfshin ende garanci të qarta për sigurinë e vendit, megjithatë, negociatat duket se po rezultojnë në kushte shumë më të favorshme për palën ukrainase, komenton FT.
Autoritetet ukrainase raportuan se marrëveshja është miratuar nga Ministrat e Drejtësisë, Ekonomisë dhe Punëve të Jashtme.
Ndërsa raportohet se Zelensky mund të vizitojë Shtëpinë e Bardhë në një të ardhmen e afërt.
Zëvendëspresidentja dhe ministrja e Drejtësisë Olga Stefanishina tha për FT se “marrëveshja për mineralet është vetëm një pjesë e planit më të gjerë “, duke theksuar se marrëveshja është pjesë e një strategjie të përgjithshme bashkëpunimi me SHBA-të.
SHBA, nga ana e saj, duket se ka zbutur qëndrimin e saj, duke tërhequr kërkesën e saj për një pjesë prej 500 miliardë dollarësh nga shfrytëzimi i këtyre burimeve.
Kujtojmë se dje, gjatë një interviste për shtyp me presidentin francez Emmanuel Macron, Donald Trump tha se është gati të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në lidhje me mineralet e rralla “këtë javë ose javën e ardhshme”.
Ukraina ka depozita të mëdha të elementeve dhe mineraleve të rëndësishme, përfshirë litium dhe titan, si dhe depozita të konsiderueshme të qymyrit, gazit, naftës dhe uraniumit.
Javën e kaluar, këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, tha se qasja e SHBA-së në mineralet e rralla në Ukrainë mund të shkëmbehej me ndihmë nga SHBA-ja, ose si kompensim për mbështetjen që i ka dhënë SHBA-ja deri më tash Ukrainës në luftën kundër pushtimit rus.
“Ne u dhamë ukrainasve një mundësi të jashtëzakonshme dhe historike”, tha Waltz, duke shtuar se kjo do të ishte “garancia më e mirë” e sigurisë për Ukrainën.
Por, Zelensky e refuzoi ofertën, duke thënë: “Unë nuk mund ta shes shtetin tonë”.