Tiranë, 16 gusht 2014 – Ministria e Arsimit në Shqipëri ka shtrënguar kriteret e pranimit në universitetet publike. Këtë vit të ri akademik 2014-2015 nuk do të ketë vend për ata maturantë që kanë një mesatare të ulët, nën nivelin 6.

Zëvendësministri i Arsimit Arbjan Mazniku deklaroi sot gjatë një konferencë për shtyp se politika e ndjekur deri më tani për pranimet në universitete ka qenë e gabuar pasi ka lënë pa punë mijëra studentë që janë diplomuar ndër vite.

Kjo siç shpjegoi më tej ai ka ardhur pasi janë miratuar më shumë kuota se sa kërkesa, (mbi 5 mijë të tilla, vitin e kaluar) duke mos ruajtur aspak cilësinë në auditoret e universiteteve. "Hapja e dyerve të universiteteve pa kriter i ka lënë sot këta studentë të papunë," tha Manziku, ndërsa shtoi se këtë vit Ministria, ka miratuar rreth 19 mijë kuota, çka do të thotë se ka vend për çdo student me nivelin e mesatares mbi 6.

Mazniku: Ulëm kuotat, do pranohen studentë me mesatare mbi 6

"A kanë këta djem dhe vajza të rinj që iu dha mundësia nëpërmjet shqyerjes së dyerve të universiteteve 4 apo 5 vjet më parë sot më shumë mundësi punësimi. Nëse shteti do ju kishte dhënë këtyre njerëzve mundësinë për të marrë një zanat, sot mund të ishin të punësuar apo punësues të njerëzve të tjerë. Ne akorduam në total 19 mijë e 196 kuota pra kemi akorduar praktikisht vend për çdo student që e kishte notën më të lartë se 6, ose mjaftueshëm vende publike për 76 % të nxënësve që plotësuan formularin A2 gjatë ditëve të fundit," tha zëvendësministri i Arsimit Arbjan Mazniku.

Lidhur me rritjen e tarifave zëvendësministri shpjegoi se është respektuar kërkesa e senateve të universiteteve, por jo ajo rritje që ata kërkuan si fillim. Nëse vitin që shkoi tarifa e studimit ishte në nivelet 14 mijë lekë deri në 44 mijë lekë, këtë vit është 20 mijë lekë deri në 45 mijë lekë me një rritje mesatare prej 6 mijë lekësh në vit. Por sipas zv.ministrit të Arsimit parashikohet mbështetje e veçantë për studentët në nevojë.

Mazniku: Tarifat janë rritur, ka rimbursim për studentët në nevojë

"Ne kemi respektuar kërkesën e senateve të universiteteve për rritjen e tarifave por në një masë më të ulët se sa kërkesa e tyre. Varianca e tarifës së studimit viitn që shkoi ka qenë midis 14 mijë e 353 lekë dhe 44 mijë e 995 lekë në vit, ndërsa këtë vit varianca është nga 20 mijë lekë në 45 mijë lekë, me një rritje mesatare prej 6 mijë e 285 lekësh në vit ose 17 lekë në ditë. Skema e re e financimit parashikon mbështetje të veçantë për studentët në nevojë, dhe që në buxhetin e ardhshëm të shteit do të ketë një mbështetje të veçantë dhe të rritur për këta studentë në nevojë," tha më tej Arbjon Mazniku, zëvendësministër i Arsimit.

Aktualisht maturantët dhe kandidatë të tjerë që duan të ndjekin studimet e larta kanë plotësuar formularin A2 online, ndërkohë që në muajin shtator pritet të dalin pikët dhe emrat e fituesve sipas degëve dhe preferencave të tyre.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/