TIRANË, 24 shkurt 2013 – Ministri Arben Imami ndërpret në mënyrë të menjëhershme dhe pa paralajmërim demontimin e municioneve. Ky fakt nuk do të përbënte lajm nëse Kombinati Mekanik në Poliçan nuk do të anulonte një tender për blerje thasë ambalazhi me një fond nga të ardhurat e ndërmarrjes prej 1.5 milionë lekësh.

Sikurse u njoftua publikisht, tenderi do të zhvillohej më 11 shkurt 2013.

Por pas një jave, më 18 shkurt 2013, kjo ndërmarrje publike industriale në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, njoftoi firmat pjesëmarrëse se tenderi u anulua. Në shkresën që zbardh Agjencia e Lajmeve "Dyrrah" shpjegohen arsyet e anullimit të tenderit. “Për arsye se u ndërpre në mënyrë të menjëhershme dhe pa paralajmërim plani i demontimit te municioneve”, thuhet në shkresë.

Shkakton njëfarë çudie që ndërmarrja ushtarake që merret me demontimin e municioneve nuk paralajmërohet për ndërprerjen e këtij aktiviteti delikat dhe serioz.

Pak historik

Kombinati Mekanik në Poliçan është një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim që të përmbushte kërkesat për armatim të Forcave të Armatosura Shqiptare. Në periudhën 1962-1966 u krijua linja e prodhimit për municion 7.62 mm  x 39 (“Kallashnikov”), municion mortajë 82 mm, granata dore ofensive dhe difensive, si edhe mina kundër këmbësorisë. Në periudhën 1970-1972, në godinën ekzistuese u instalua linja e prodhimit të minave kundërtanke dhe në një godinë të re u vendos linja e fishekzjarrëve 180 mm. Në periudhën 1977-1985 u krye një rikonstruksion i thellë me makineri dhe pajisje të ardhura nga Zvicra dhe Austria për të mundësuar prodhimin e municionit kalibër 12.7 mm x 99 dhe 14.5 mm x 51 si edhe municion mortaje me kalibër 60, 107 dhe 120 mm. Aktualisht ndërmarrja  (të paktën, deri në mars 2009) prodhon municion pistolete të tipit “Makarov” dhe “Parabellum” me kalibër 19mm. Kompania ka mundësi të mëdha për të prodhuar për popullsinë civile, sidomos prodhime fonderie hekuri dhe çeliku. Kombinati i Poliçanit ka sistem cilësie GOST. /Sipas sajtit të Ministrisë së Mbrojtjes/

Ministri për demontimin

Më 6 nëntor 2012, në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua mbledhja e radhës e Bordit Drejtues të Asgjësimit të Municioneve të Tepërta për të analizuar punën e bërë për ecurinë e procesit të demilitarizimit të municioneve të tepërta për muajin tetor 2012. Ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami ka falënderuar ushtarakët dhe punonjësit e Brigadës Logjistike, të Batalionit të Transportit, të kompanisë AME, Uzinat Ushtarake të Mjekësit, Poliçanit, të Gramshit etj, të cilat kanë kryer me disiplinë, profesionalizëm dhe me sukses të plotë detyrat në procesin e vështirë të demontimit të municioneve të tepërta

Më 7 nëntor 2012, Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare ka zhvilluar një seancë dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes, z. Arben Imami. Mes të tjerave, ai tha: “Lidhur me akuzat për shitjen e makinerive dhe pajisjeve të tjera në Kombinatin e Poliçanit, ministri Imami ka theksuar se, drejtori i Poliçanit nuk jep mendim se si duhet qeverisur Poliçani, kryetari i bashkisë të merret me Poliçanin mos të meret me uzinën, sepse për atë mban përgjegjësi drejtori, këshilli drejtues i kësaj uzine dhe MM. Nuk është etike që kryetari  i bashkisë së Poliçanit del e flet se çfarë bëhet në ndërmarrje. Kombinati i Poliçanit ka realizuar në mënyrë të shkëlqyer detyrimet e saj dhe po përpiqet të punojë për të ardhmen dhe nëse do të arrihet do të jetë një gjë shumë e madhe, padyshim që është një objektiv i arritshëm me vështirësi në mënyrë që kjo ndërmarrje të vijojë punën edhe pas mbylljes së procesit të demontimit të municioneve të tepërta. Për këtë gjë kanë filluar eksperimentet për prodhimin e fishekëve, kanë filluar edhe disa shitje të vogla sikurse është e njohur edhe në media. Shitjet janë tërësisht ligjore, ato shkojnë në Kosovë. Kombinati ka ngritur një grup ekspertësh tekniko-inxhinier, të cilët unë i njoh dhe e di shumë mirë se 80 për qind e tyre nuk janë të PD dhe ato sigurisht që do të vazhdojnë të punojnë pasi janë specialistë. Në qoftë se kombinati do të ketë një vijimësi duhet të vijë tek niveli i Mjekësit. Çfarë bëmë ne në Mjekës? Së pari, e pastruam atë, mbollëm bar sepse shqetësimi për mjedisin ka qenë një nga shqetësimet e mia themelore gjatë këtyre 3 viteve, riparuam ndërtesat në mënyrë që n.q.s. do të ketë një investim të vijë të shohë diçka që të jetë normale. Një fabrikë e amortizuar nuk prezanton asgjë të mirë kjo po bëhet profesionalisht nga ata”.

Amerikanët ndjekin procesin 

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu në kuadër të implementimit të Planit të Veprimit të MM për Asgjësimin e Municioneve të tepërta në FA, ka zhvilluar, më datë 29 shkurt 2012, një inspektim për të vlerësuar masat e marra dhe ecurinë e këtij procesi në linjat e demontimit industrial të municioneve në Kombinatin Mekanik në Poliçan.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Sarah Hutchison, këshilltare në Departamentin e Shtetit në Uashington për Shqipërinë, z. Louis Boros, shefi i Zyrës së CUBIC në MM, Gregory Cannata, drejtori i Uzinës Mekanike në Gramsh, Kastriot Zëra, përfaqësues nga Brigada Logjistike, Struktura e Mbikëqyrjes e FA, etj.

Fillimisht, drejtori i Kombinatit Mekanik në Poliçan, Lulzim Gojka, pasi u uroi mirëseardhjen në KM Poliçan zëvendësministrit të Mbrojtjes Spahiu dhe zyrtarëve amerikanë, i informoi ata për ecurinë e procesit të demontimit që realizohet në kombinat. "Puna për demilitarizimin e municioneve në KM Poliçan ka filluar me ngritjen e linjës së parë me mbështetjen dhe financimin e Departamentit të Shtetit të SHBA. Më pas me mbështetjen dhe asistencën e Ministrisë së Mbrojtjes është bërë e mundur ngritja e linjave të tjera, kurse duke filluar nga vitit 2011 financimi është bërë nga MM. Në harkun e dy viteve, si rezultat i rritjes së kapaciteteve të demontimit të municioneve, numri i punëtorëve nga 140 që ishte, ka shkuar në 380 punëtorë. Ndërsa nga 8 ton municione që demontoheshin në ditë në vitin 2010, sot demontohen rreth 40 ton në ditë. Për vitin 2012, janë planifikuar nga MM të demontohen në KM Poliçan 8,390 ton municione të llojeve të ndryshëm. Në të gjithë aktivitetin dhe punën tonë, prioritet i prioriteteve është dhe mbetet siguria në punë dhe zbatimi i rregullave të sigurimit teknik", – përfundoi Gojka.

/Thanas Mustaqi – Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/