Nga Valbona Sakollari
As hasmit nuk do i uroje një ëndërr të kobshme e të mankthshme si ajo e 26 Nëntorit e jo më të mendosh që është e vërtetë dhe ka prekur në vetë të parë, për fat të keq, drejtëpërsëdrejti shumë prej nesh. Për herë të parë, kam ndjerë keqardhje për këtë qeveri, sepse mënxyra është shumë e madhe për t’u menaxhuar. Kam menduar se sa më pak debate këto ditë, aq më respekt për të prekurit dhe aq më ndihmë për qeverinë e specialistët.
Por sa më shumë orë kalojnë, aq më qartë duket se po orkestrohet një aparat propogandistik e hajdutesk për të përfituar nga gjëma e fatkeqësia që MJERË kë zuri.
Pse e them këtë? Sepse:
1- po fshehin informacionin apo e përcjellin të copëtuar, (nga padija shpresoj) dhe njerëzit enden lart e poshtë pa kuptuar gjë. Mjafton të përcaktohen shenjat e rrezikut për çdo objekt dhe të afishohen qartazi tek çdo godinë e inspektuar. Kështu banorët s’kanë nevojë të marrin me mend nëse ka shkuar apo jo dikush për inspektim; s’ka nevojë të interpretosh shenjat e inspektorit të objektit; apo të tjera pyetje. Në një letër (zgjidhja është çështje teknike) në hyrje të banesës shënohet:
a-kjo banesë është inspektuar. (Ato që s’kane shenjë, do të thotë që nuk janë inspektuar)
b- mund të futen për të jetuar apo jo
c- mund të futen për të marrë sendet personale apo jo
Kjo do të ndihmonte që të qetësoheshin e të mos vërtiteshin kot lart e poshtë, si dhe eviton abuzohet.
2- Kryeministri pasi ulëriti “Ndëshkim” për shkaktarët njerëzor të tragjedisë (se atyre natyror s’kemi ç’u bëjmë), pasi premtoi që do i padiste personalisht, pasi i mësoi kryeprokurores (ndjesë, por nuk e shkruaj dot me të madhe) si të zhvillonte hetimin, po u jep gjithë kohën e mjaftueshme fajtorëve të largohen nga Shqipëria, të fshehin e manipulojnë dokumentet, provat, po u jep ndihmë të zhdukin skenat e krimit me anë të shpërthimit me tritol. Dhe del sot në mbledhjen e qeverisë e justifikon këto veprime me faktin që drejtësia do kohë që të bëhet mirë. Që të bëhet dakort, por që të filloj, jo.
3- Kryeministri po gjen armiq e fajtor tek fjala e lirë dhe ata gazetarë që me përkushtim dhe humanizëm kanë ndarë dhimbjen me fatkeqët, ndërsa fajtorët e vërtetë (zyrtarë dhe jo zyrtarë) po vazhdon ti mbrojë duke u dhënë kohë dhe duke spostuar vëmendjen drejt medias.
4- Edhe pse mund të mos ketë ndonjë urdhër të shkruar, fakti që me “dëshirë të lirë” janë detyruar punonjësit e administratës shtetërore të bëjnë donacion në para, është i vërtetë, sepse nuk mund të gënjejnë mijëra veta njëkohësisht dhe të kenë të drejtë vetëm 2 apo 3. Këta punonjës, kush më shumë e kush më pak kanë pësuar dëme tek familjet apo të afërmit e tyre dhe kanë secili betejën e vet. Kush don të dhurojë e ka bërë dhe e gjen mënyrën, pa shumë publicitet, por shumë ngurrojnë ta çojnë ndihmën e tyre tek strukturat qeveritare, sepse s’kanë besim.
Uni është i frikshëm. Historia mëson se çdo herë ka rezultuar fatal. Roli i superheroit që ka ndërrmarrë kryeministri është i rrezikshëm për të gjithë ne. Arroganca nuk është as aftësi dhe as trimëri, por është frikë. Zgjidhjet që propozon kryeministri janë megalomane, në kundërshtim me tregun dhe shpesh kontradiktore. Uthulla e fortë, prish enën e vet”-thotë populli. Zoti na ndihmoftë.