“Sot është dita e fundit që të më sjellësh 70 mijë euro. Do djeg barkën, do t’i vej zjarrin, po nuk mi dërgove në këto numra llogarie!”. Kjo është një prej dhjetëra thirrjeve telefonike që u bën në Whatsapp pengmarrësi Adel Sallam, marinari egjiptian, pronarit të barkës “Çelepia 2”, në orën 03:00 të mëngjesit.
Flori Çelepia, në një intervistë për “DurrësLajm”, deklaroi se kontaktet janë të shumta me pengmarrësin, por asnjë kontakt nuk ka me kapitenin e anijes, Dhimitër Malja, jeta e të cilit është vënë në dyshim, pasi pengmarrësi, jep disa versione të kundërta për jetën e kapitenit.
“Autoriteteve policore u kemi vënë gjithçka në dispozicion, por përveçse na marrin në pyetje, nuk na japin asnjë të dhënë tjetër. U kemi vënë në dispozicion numrin e pengmarrësit, numrat e llogarive ku kërkon t’i hedhim nga 10 mijë Euro, mesazhet zanore kërcënuese të regjistruara, por tani nuk është bërë asgjë. Pengmarrësi na shantazhon vazhdimisht, dhe është i lirë”, thotë ai.
Djali i vetëm i familjes Malja, Damiani, me lot në sy i bën apel strukturave të shtetit të ndërhyjnë për të ditur çfarë po bëhet me jetën e babait të tij.
“U nis në punë, e nuk kemi asnjë informacion ku është babai. Ku ta gjej? Shteti nuk më thotë ku të shkoj e ta kërkoj babanë”, apelon i biri i kapitenit të anijes.
“Nëse autoritet do të kishin ndërhyrë, ai do të ishte para drejtësisë”, thotë Çelepia.
(Egjiptiani Adel Sallam)
_0.jpg)
K.H.





