Një gjykatë italiane ka dënuar dy kompani ndërtimi, të cilat janë shpallur fajtore për vdekjen e një 21-vjeçari shqiptar Klodian Elezi, i cili ra nga një lartësi prej disa dhjetëra metrash në kantierin e punës në prill të 2015-s.

Gjykata në Bershia i ka konsideruar dy kompanitë “Iron Master” dhe “Vezzola” fajtore për neglizhencë, pasi nuk i kishin mundësuar shtetasit Klodian Elezi asnjë pajisje sigurie, që nga litarët, ganxhat dhe as kasketën mbrojtëse.

Gjithashtu, ato u konsideruan fajtore pasi e kishin punësuar 21-vjeçarin edhe pse ai nuk kishte ndjekur kurrë një kurs përgatitor për të punuar në fushën e ndërtimit. Konkretisht, përfaqësuesi i kompanisë “Iron Master” është dënuar me 1 vit e 8 muaj burg për “vrasje me dashje”, me gjykim të shkurtuar. 

Ndërsa një drejtues dhe një gjeometër i “Vezzola” pranuan fajin dhe u dënuan përkatësisht me 1.4 dhe 1.2 vite burg. Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i kësaj kompanie do të përballet me një gjyq të mëtejshëm.

Klodian Elezi jetonte në Itali që prej moshës 8-vjeçare dhe siç raportojnë mediat italiane, ndihej një “breshian” i vërtetë. Në qytezën e Kiarit atë e njihnin të gjithë pasi luante futboll me ekipin “Yong Boys”.