Një 46-vjeçar ka ndërruar jetë në spital, disa ditë pasi ishte shtruar për plagët e marra gjatë një sherri që ka ndodhur më 31 mars.

Policia bën me dije se viktima është shtetasi Gentian Talja, 46 vjeç. Mësohet se ai ishte konfliktuar më datë 31.03.2023, në rrugën “Vaso Pasha”, me shtetasin Henri Gjapi.

Ky i fundit është shpallur në kërkim nga policia.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë referuar materialet në Prokurori, për shtetasin Artur Gjolena, 41 vjeç, dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin Henri Gjapi, 25 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Më datë 31.03.2023, në rrugën “Vaso Pasha”, shtetasi Henri Gjapi është konfliktuar me shtetasin Gentian Talja, 46 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore.

Gjatë këtij konflikti, ka ndërhyrë edhe shtetasi Artur Gjolena, i cili ka goditur shtetasin Henri Gjapi.

Si pasojë e dëmtimeve, 46-vjeçari ka ndërruar jetë në spital, ditën e djeshme. Vijon puna për kapjen e shtetasit Henri Gjapi.