Rikthehet në portin e Durrësit, pas 3 viteve mungesë një nga anijet më të mëdha në botë me vela.

“Sea Cloud” është ankoruar mëngjesin e sotëm në kalatën nr.4 të portit, ndërkohë që pritet të largohet pasditen e sotme, për të udhëtuar drejt Sarandës.

Anija super luksoze e ka vizituar për herë të fundit portin tonë vjeshtën e vitit 2019, vit përgjatë të cilit u ankorua 3 herë në Durrës.

Anija luksoze me gjatësi 109.5 metra është ankoruar në kalatën nr.4 të portit, shumë pranë vinçave të ngarkim shkarkimit.

Mjeti lundrues thuajse 100-vjeçar (është prodhuar në vitin 1931) shërben që nga viti 1979 si krocerë.

Ndryshe nga superjahti i themeluesit të Whatsapp (që po sot u ankorua në portin e Durrësit), në bordin e velierës “Sea Cloud” ndodheshin 50 turistë elitarë, të cilët kanë vizituar gjatë paradites qytetin e Krujës.

Në superjahtin “Moonrise” nuk ndodhej asnjë turist, por vetëm ekuipazhi i mjetit lundrues, që erdhi në Durrës për t’u furnizuar me naftë pa akcizë.

“DurrësLajm ishte e para media që njoftoi mbërritjen e jahtit “Moonrise” të miliarderit Jan Koum në port, lajm që më pas u pasqyrua edhe nga kryeministri Rama në faqen e tij zyrtare në rrjete sociale.

“Që nga fillimi i sezonit turistik kanë qenë të shumtë kroçerat dhe jahtet e huaja që kanë zgjedhur portet shqiptare për t’u ankoruar dhe sjellë turistë të huaj”, – shkruante kryeministri në rrjete sociale.

Dikush duhet t’i kujtojë kryeministrit ose stafit të tij, se superjahti mbërriti në portin më të madh në vend pa turistë në bord, ndërkohë që mbërritja e velierës “Sea Cloud” u kalua komplet në heshtje, kur në fakt ishte kjo anije që solli turistë dhe nuk preku portin e Durrësit vetëm për t’u furnizuar me naftë pa akcizë.

Ashtu si 3 vite më parë, veliera “Sea Cloud” është ankoruar sërish shumë pranë vincave të ngarkim shkarkimit, në kalatën nr.4, një kalatë që nuk plotëson kushtet minimale për turistët elitarë.

Megjithëse shumë flitet nga propaganda zyrtare për turizmin, për mbërritjen e jahteve dhe superjahteve luksoze në portet tona, insfrastruktura që ofrojmë lë shumë për të dëshiruar.

“DurrësLajm” mëson nga website i APD-së, se veliera luksoze do të jetë sërish në qytetin bregdetar në muajin gusht dhe shtator.

Mbase deri atëherë, autoritetet do të gjejnë zgjidhje për të ofruar kushte më dinjitoze për qëndrimin disa orësh të njërës prej velierave më të mëdha në botë.

M.B.