Policia kufitare në Velipojë i ka ardhur në ndihmë tre personave që po rrezikonin të mbyteshin.
Mjeti lundrues kishte pësuar defekt dhe nuk mund të vijonte lundrimin.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një mjet lundrues që kishte pësuar avari në det, shërbimet e Policisë Kufitare janë nisur drejt vendndodhjes së tij. Pas mbërritjes në vendngjarje, u konstatua se mjeti lundrues drejtohej nga shtetasi I. H., i cili nuk mund të vijonte lundrimin për shkak të një defekti teknik. Në bord ndodheshin edhe dy shtetas të tjerë”, bën me dije policia.
Mjeti u rimorkua në breg nga policia ndërsa tre personat janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Për garantimin e sigurisë së personave që ndodheshin në mjet dhe për të shmangur çdo rrezik të mundshëm, shërbimet e Policisë Kufitare kryen rimorkimin e mjetit lundrues deri në breg. Të tre shtetasit u asistuan nga efektivët e Policisë Kufitare dhe u transportuan në mënyrë të sigurt në tokë, pa probleme shëndetësore apo dëmtime fizike, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas përfundimit të operacionit të ndihmës, mjeti lundrues u nxor në breg. Nga verifikimet e kryera rezultoi se dokumentacioni i mjetit lundrues ishte i rregullt.





