PARIS, 30 prill 2013 – Franca “po luan me zjarrin” në Mali, tha vëllai i shefit të Al-Qaeda-së në një intervistë botuar të hënën, duke paralajmëruar se luftëtarët islamikë do të kundërpërgjigjet në shtetin afrikan dhe “për territorin francez”.
Franca nisi një ofensivë ushtarake në Mali në janar për të ndihmuar ushtrinë në zmbrapsjen e ekstremistëve islamikë, të cilët zotëronin veriun, dhe tani ka filluar një tërheqje me faza të forcave prej 4500 vetash.
“Franca po luan me zjarrin… Duke sulmuar Malin, Franca hoqi siguresën dhe do të vuajë pasojat ", i tha së përjavshmes franceze Le Point Mohammed al-Zawahiri, vëllai i shefit të Al-Kaedës Ayman al-Zawahiri.
“Reagimi i luftëtarëve xhihadistë ka të ngjarë të jetë i fortë, qoftë në Mali, ose në territorin francez.
“Franca vret fëmijët tanë, ne duhet t’i përgjigjemi. Ne nuk kemi as bomba as aeroplanë, por burimet tona na lejojnë të marrim pengje për të mbrojtur veten”, tha islamiku egjiptian.
“A të vijmë ne myslimanët në Evropë dhe t’ju sulmojmë, sepse jemi kundër laicizmit dhe katolicizmit? Ju nuk keni të drejtë të ndërhyni në besimet tona”.
Ndërhyrja ushtarake e Francës në Mali bëri që trupat e drejtuar nga francezët të rimarrin qytetet kryesore në veri të Malit që ishin pushtuar për muaj të tërë nga grupet islamiste të lidhura me al-Kaedën.
Ayman al-Zawahiri, i cili pasoi Osama bin Ladenin si kryetar i Al-Kaedës në vitin 2011, kishte paralajmëruar tashmë Francën në fillim të prillit se ajo do të kishte në Mali “të njëjtin fat si Amerika në Irak dhe Afganistan”.
Mohammed al-Zawahiri u dënua me vdekje në mungesë në Egjipt në vitin 1998 i akuzuar se kishte zhvilluar stërvitje ushtarake në Shqipëri dhe për planifikimi operacionesh militante në Egjipt.
Ai u arrestua një vit më vonë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe iu dorëzua autoriteteve egjiptiane.
Ai u lirua së bashku me të burgosurit e tjerë në vitin 2011, pas rënies së udhëheqësit egjiptian Hosni Mubarak, vetëm për t’u arrestuar sërish brenda 48 orëve.
Më vonë doli në gjyq dhe u lirua në mars 2012.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





