Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke shprehur indinjatë, zhgënjim dhe kundërshtim ndaj vendimit.
Në një komunikatë për media, PDK e ka cilësuar aktgjykimin si një goditje ndaj të drejtës së popullit të Kosovës, i cili luftoi për liri dhe çlirim nga regjimi serb.
“Për ne, ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe, sepse mbështetet në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK ka deklaruar se vendimi i gjykatës nuk mund të ndryshojë atë që e konsideron si historinë e luftës së Kosovës.
“Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë, por historia e Kosovës është shkruar në Kosovë, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri”, thuhet më tej.
PDK ka përmendur viktimat e luftës, dëshmorët, martirët dhe qytetarët e dëbuar nga shtëpitë e tyre, duke e cilësuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 si momentin që i dha fund represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb në Kosovë.
Sipas PDK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk shkuan në Hagë për t’iu shmangur drejtësisë, por iu përgjigjën vullnetarisht procesit gjyqësor, me besimin se e vërteta do të triumfonte.
PDK ka deklaruar se do ta kundërshtojë aktgjykimin përmes argumenteve dhe mjeteve demokratike, duke paralajmëruar se do të vijojë përpjekjet për mbrojtjen e qëndrimit të saj mbi luftën e UÇK-së.
“Sot është një ditë e rëndë për Kosovën. Por sot nuk përfundon as historia, as beteja për të vërtetën”, përfundon reagimi i PDK-së.





