Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar sot në lidhje me vendimin e Apelit për Dritan Dajtin.
Përmes një njoftimi për publikun, KLGJ shprehet se pranë tij, është depozituar kërkesa e ministres Etilda Gjonaj ku kërkohet hetimi disiplinor i veprimtarisë së anëtarëve të trupës gjyqësore, që kanë gjykuar çështjen kundër të dënuarit Dritan Dajti.
Në arsyetimin e saj, ministrja Etilda Gjonaj shprehet se këta gjyqtarë, kanë kryer shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, shkak mbi të cilin ka kërkuar në vijim edhe marrjen e masës së shkarkimit nga detyra.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, nisur nga kjo kërkesë, informon publikun se kjo çështje do të trajtohet me përparësi, paanshmëri dhe profesionalizëm.
Këshilli do të bëjë vlerësimin e duhur, në përputhje me kuadrin e ri ligjor dhe do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm në respektim të ligjit.