Tre shtetas janë arrestuar nga policia e Tiranës për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Të tre këta persona vinin baste sportive, nëpërmjet aparateve celulare në tre pika të ndryshme në kryeqytet.

Policia ka sekuestruar si provë materiale tre aparatet celularë të përdoru për aktivitetin e paligjshëm, ndërkohë që materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar policisë për veprime të mëtejshme.

“Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, bazuar dhe në informacione të marra në rrugë operative, strukturat e DVP Tiranë kanë organizuar kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme, të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar dhe goditur 2 raste të kësaj veprimtarie.  Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 është arrestuar në flagrancë shtetasi A. K., 46 vjeç, banues në Tiranë, pasi është kapur në flagrancë në ambientet e një subjekti bar-kafe, në rrugën “Petro Nini Luarasi”, duke vënë baste sportive nëpërmjet aparatit celular.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 është arrestuar në flagrancë shtetasi L. P., 19 vjeç, banues në Babrru, pasi u kap në flagrancë duke vënë baste sportive, nëpërmjet aparatit celular, në ambientet e lokalit të tij, në Babrru, të cilin e kishte vënë në dispozicion për organizimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 është arrestuar në flagrancë shtetasi A. Ç., 18 vjeç, pasi është kapur në flagrancë në ambientet e një subjekti bar-kafe, në rrugën “Mikel Maruli”, duke vënë baste sportive nëpërmjet aparatit celular.

3 aparatet celulare që përdornin këta shtetas janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.