ITALI– Revista “Il Sommelier”, e FISAR  (Federazione Italiana Sommelier Albergatori Ristoratori) në numrin e saj të fundit i dedikon një speciale prodhimit të verërave në Shqipëri. Në dhjetë faqe të revistës jepet një panoramë e kantinave të verës, nga veriu në jug të vendit: flitet për kantinat Uka të Tiranës, Kokomani, Bardha, Duka të Durrësit, Kajoshi në Shtojin e ri, Miqësia në Koplik, Arbëri në Rrëshen, për kantinën Kallmet në fshatin me të njëjtin emër. Përveç përmendjes së kantinave të ngritura në vendin tonë për prodhimin e verës, revista italiane ka dhënë edhe karakteristikat e veçanta të verërave të prodhuara në këto kantina. Shkrimi shoqërohet edhe me foto nga kantinat shqiptare dhe enologët e tyre si dhe nga takime të zhvilluara në Shqipëri mbi këtë temë.

Në shkrimin e gazetarit të njohur të enologjisë,  Roberto Rabachino, vihen në dukje qoftë problemet “nga vitet 90 kur vreshtaria mbulonte 23 mijë hektarë tokë, në vitin 2010 sipërfaqja e mbjellë me rrush nuk arrinte as në 10 mijë”, qoftë arritjet e sotme falë edhe ndihmës së dhënë nga një ojq italiane, LVIA, veçanërisht në Veri të Shqipërisë dhe objektivat që prodhuesit e verërave i kanë vënë vetes. Siç tregon enologu italian që punon atje Alberto Cugnetto: “Shqipëria ka mundësi të mëdha në prodhimin e verës, ka vreshta autoktone kryesisht të panjohura, por shumë të mira që sot do të kishin sukses në shumë vende të famshme për prodhimin e verës. (…) nëse prodhuesit e verës në Shqipëri do të dinë të punojnë së bashku për promovimin e prodhimeve të tyre brenda pak viteve do të mund të spikasin, pa shumë vështirësi, me verëra unike dhe të cilësisë së lartë”.

Një shkrim interesant i revistës është ai i Daniela Meçajt, someliere e vlerësuar në Itali që tregon përshtypjet e saj për verërat shqiptare të zbuluara së fundi. “Në Shqipëri, deri pak vjet më parë, vera prodhohej me mënyra mesjetare. – shkruan Meçaj – Isha një nga ata shqiptarë që nuk bleja kurrë një shishe verë shqiptare. Dhe e paskam pasur gabim”. Ajo tregon që e zbuloi rastësisht dhe i pëlqeu shumë: “Ishte e shkëlqyer”. Gjatë vizitës në Shqipëri të enologëve italianë, ishte e pranishme edhe Meçaj: “Besomëni të shoqëroje ekspertët italianë të verës në vendin tënd e të dëgjoje vlerësimet e tyre të larta e të sinqerta ishte emocionuese”.

Specialja mbi Shqipërinë e revistës italiane të enologjisë mbyllet me shkrimin mbi praninë në Salone del Gusto 2012 të zhvilluar në Torino të produkteve shqiptare, nga kërpudhat te marmelatat dhe glikotë e jugut, nga verërat e rakia e rrushit të veriut te vaji i ullirit i Elbasanit. “Ende nuk mund t’u ofrohen të interesuarve në Itali e në botë, shijet e kuzhinës shqiptare, por këshillojmë të gjithë ata që dëshirojnë të përjetojnë mikpritjen e popullit shqiptar, peizazhin malor dhe shijet e kësaj pjese të Ballkanit të shkojnë e të njohin vendin e shqiponjave”.

Shkarko Il Sommelier – Speciale Albania