TIRANE, 16 mars 2013 Në vendin tonë, 2-3% e foshnjave lindin me keqformime në veshka, ndërkohë që çdo vit regjistrohen rreth 400 raste të reja të sëmundjeve kronike të tyre. Të dhënat bëhen publike nga specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Jeta Lakrori, e cila e vë theksin te masat paraprake që duhet të merren për të shmangur këto sëmundje.

Znj.Lakrori, cilat janë sëmundjet më të shpeshta të veshkave? 

Një nga sëmundjet më të shpeshta të veshkave është kalkuloza renale. Ky është termi që përdoret në rast të pranisë së gurëve në sistemin urinar. Gjithashtu, infeksionet e traktit urinar që shkaktohen nga prania e shtuar e baktereve në urinë dhe glomerolunefriti, një grup i sëmundjeve që shkaktojnë inflamacion dhe dëme në njësitë e filtrimit të veshkave. Një tjetër sëmundje është insuficienca renale. Ajo zhvillohet kur veshkat nuk janë më të afta të rregullojnë balancën e ujit dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak. Insuficienca renale, është e formës akute (fillim i menjëhershëm dhe humbje e përkohshme e funksionit të veshkave) dhe mund të jetë pasojë e traumave, hemorragjive, përdorimit të disa medikamenteve, gjendjeve skeptike etj. 

Cilat janë disa nga shenjat e sëmundjeve kronike të veshkave?

Fillimi i sëmundjes shpesh mund të jetë i heshtur dhe pa shenja të dukshme për pacientin, të cilat ai i konsideron si pjesë të normalitetit të tij të përditshëm. Ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave mund të përmendim: Ndryshime të urinimit, si: urinim të shpeshtë (mbi 4-5 herë në ditë), me dhimbje ose djegie, me ngjyrë të kuqe apo të errët, ndryshim të sasisë së urinimit etj; shfaqje e edemave (ënjtjeve) në këmbë, duar apo fytyrë. Shqetësime të tjera janë: lodhja, të përziera, të vjella, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje mesi. 

Pse është i rëndësishëm zbulimi i hershëm?

Zbulimi i hershëm mund të ndihmojë parandalimin e progresionit të sëmundjes së veshkave në sëmundje kronike të veshkave. Sëmundjet kronike të veshkave, jo vetëm vazhdojnë të rriten në mbarë botën, por edhe po shfaqen në faza mjaft të avancuara. Ato janë cilësuar ‘vrasës të heshtur’, pasi dëmtimi i veshkave ndodh në mënyrë të ngadalshme dhe të fshehtë për një periudhë të gjatë kohore, prej muajsh apo vitesh, çka sjell një diagnostikim të vonshëm të tyre dhe dëmtime të rënda të veshkave; që më pas kërkojnë terapi zëvendësuese të funksionit të tyre apo të vetë veshkave si dializa apo transplanti. 

Nga ana klinike, si mund të zbulohen sëmundjet e veshkave?

Tri teste të thjeshta mund t’i zbulojnë këto sëmundje: kontrolli i tensionit të gjakut, gjetja e albuminës në urinë dhe matja e kreatininës në serum. 

Cilat janë statistikat për sëmundjet e veshkave në vendin tonë?

Në vendin tonë çdo vit kemi rreth 400 raste të reja me sëmundje kronike të veshkave. Po ashtu, kemi keqformime të lindura në rreth 2-3% të foshnjave të lindura. Keqformime të lindura, që ndodhin tek një fëmijë që zhvillohet në mitrën e nënës së tij. Për shembull, mund të ndodhë një ngushtim që parandalon rrjedhjen normale të urinës. Kjo shkakton infeksione dhe mund të dëmtojë veshkat. Sipas Shoqatës Shqiptare të Nefrologjisë, shkaktarë të sëmundjeve kronike të veshkave janë: glomerulonefriti në 24.4% të rasteve, infeksione të traktit urinar në 31% të rasteve, kalkuloza renale etj. 

Si mund të parandalohen këto sëmundje?

Për parandalimin e sëmundjeve të veshkave duhet të mbahen parasysh disa këshilla, të cilat njihen si 7 rregullat e arta. Aktiviteti fizik, kontrolli i rregullt i nivelit të sheqerit në gjak, matja e rregullt e tensionit, ushqimi i shëndetshëm dhe mbajtja nën kontroll e peshës, shmangia e duhanpirjes, shmangia e përdorimit të ilaçeve pa konsultën e mjekut dhe ekzaminimet, janë shumë të rëndësishme. 

7 rregullat për parandalimin e sëmundjeve në veshka
Bëni rregullisht aktivitet fizik. Marrja me aktivitet fizik në mënyrë të moderuar, të paktën 30 minuta në ditë, në pesë ditë të javës. Aktiviteti fizik zhvillohet duke ecur me ritëm mesatar, duke vrapuar, duke lëvizur me biçikletë etj. 
– Kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak. Gjysma e njerëzve që vuajnë nga sëmundja e sheqerit zhvillojnë dëmtime të veshkave. 
– Masni rregullisht tensionin e gjakut. Pacientët me tension të lartë të gjakut, duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë progresionin drejt sëmundjes renale kronike. 
– Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani peshën nën kontroll. Çdo ditë përdorni 5 porcione fruta e zarzavate, 5 porcione drithëra, pini jo më pak se 1,5 litra ujë dhe reduktoni marrjen e kripës. 
– Shmangni pirjen e duhanit. Duhanpirja rrit rrezikun për kancer të veshkave me 50%. 
– Shmangni përdorimin e ilaçeve pa konsultën e mjekut. Shumë pacientë, sidomos të moshuarit, bëhen të sëmurë me sëmundje kronike të veshkave pasi përdorin pa kriter apo me shumicë ilaçe anti-inflamatore për të qetësuar dhimbje të ndryshme. 
– Bëni ekzaminime, nëse jeni në rrezik për sëmundje të veshkave apo keni një ose më shumë faktorë të lartë të rrezikut.

/Gazeta Shqiptare/