TIRANË, 19 shkurt 2013 – Mes 2172 të rinjsh në të gjithë vendin, nga një anketim, ka dalë se 29 për qind e tyre kanë kryer marrëdhënie seksuale, me një moshë mesatare 15.2 vjeç, me hasje më të shpeshtë në grupmoshën 16 vjeç (27.6 për qind). Vetëm 23 për qind e tyre kanë përdorur prezervativ. Përdorimi i tij konsiderohet vetëm për të parandaluar një shtatzënie dhe jo një infeksioni seksualisht të transmetueshëm.

Mbi 90 për qind e të rinjve identifikojnë farmacitë si vende, ku mund të gjenden prezervativët, ndërsa qendrat e planifikimit familjar nuk njihen fare. Pjesa më e madhe e të intervistuarve nuk diskutojnë me partnerin për përdorimin e prezervativit, thuhet nga një grup mjekësh dhe sociologësh shqiptarë, që kanë ndërmarrë studimin “Vlerësimi i sjelljeve seksuale tek adoleshentët shqiptarë”, i bërë publik në revistën “Medicus”.

Të rinjtë adoleshentë po hyjnë në marrëdhënie seksuale në një moshë që po vjen gjithnjë duke u ulur. Kjo kërkon gjetjen dhe përdorimin e strategjive efektive të ndryshimit të sjelljes si dhe organizimin e fushatave mediatike për promovimin te të rinjtë të shtyrjes së marrëdhënieve seksuale në një moshë sa më të rritur si dhe forcimit të marrëdhënieve të qëndrueshme me një partner. 

Të rinjtë konsiderojnë si arsye të rëndësishme për përdorimin e prezervativit parandalimin e një shtatzënie të padëshiruar dhe jo parandalimin edhe të një Infeksioni Seksualisht të Transmetueshëm. Ekzistojnë paragjykime dhe mite lidhur me përdorimin e prezervativit. Ekspertët mendojnë se personeli shëndetësor është burim shumë i ulët i informacionit për të rinjtë mbi çështjet e seksualitetit. Po ashtu, informacioni i marrë nga mësuesit në shkollë është i pamjaftueshëm.

/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/