Romë, 26 shkurt 2013 – Pas konfigurimit të parlamentit italian të dalë nga zgjedhjet e së dielës dhe së hënës vetëm dy nga italianët e rinj kanë mundur të mbledhin votat e mjaftueshme për të zënë një karrike në Dhomën e Deputetëve.
Një emigrante nga Kongo dhe një bir emigrantësh i lindur në Kazablanka dhe i rritur në Itali do të mund të ulen krahas deputetëve italianë. Cécile Kyenge Kashetu dhe Khalid Choauki janë të vetmit nga italianët e rinj, apo më mirë shtetasit që nuk kanë lindur në Itali, që arritën të fitonin mes 9 të tillëve që ishin përfshirë në listat e kandidatëve për deputet të partive të ndryshme. Kashetu dhe Choauki u zgjodhën nën siglën e Partisë Demokratike të Bersanit.
“Është një përgjegjësi e rëndësishme, duhet të sjellim në qendër të vëmendjes vlerat që kemi mbështetur në brendësi të Forumit të emigracionit të partisë. Kjo nuk është një fitore e imja apo e Chaouki-t, është fitore e një grupi të tërë që ka punuar për të çuar në parlament idetë e tj”, thotë për stranieriinitalia.it Kyenge Kashetu, mjekja okuliste e zgjedhur në Emilia Romagna, ish këshilltare në provincën e Modenës.
“Këto zgjedhje – pranon deputetja e re – janë një e papritur, do të duhet akoma kohë për të mposhtur berluskonizmin. Të fortë në identitetin tonë të dyfishtë, duhet të luftojmë për një pjesëmarrje politike të plotë e për të përforcuar konceptin e qytetarisë së fortë, që të respektojë të drejtat e të gjithëve, italianë dhe të huaj”.
Ndërkohë Khalid Chaouki, gazetar e përgjegjës i Nuovi Cittadini në PD, thotë: “Duhet të bëjmë reformën e shtetësisë: kush lind apo rritet në Itali është italian. Duhet të japim provë përgjegjësie një milion bijve të emigrantëve që presin prej shumë kohësh”,- thotë ai.
Krahas dy fituesve, kandidatë jo fitues për një karrike në Dhomën e Deputetëve ishin Nona Evghenie, këshilltare komunale në Padovës me origjinë rumune dhe Fernando Biague, psikolog në Alto Adige, i lindur në Guinea Bissau.
Të tjerë që nuk arritën t’ia dilnin ishin edhe 30-vjeçarja KaoutarBadrane, avokate me origjinë marokene, Rania Ibrahim, blogger milaneze me origjinë egjiptiane Mercedes Frias, me origjinë dominikane, ish parlamentare gjatë qeverisë së fundit të Prodit, ndërmjetësuesja kulturore Farhia Aidid Aden, e lindur në Somali si dhe Pape Diaw, militant antiracist, lider i komunitetit senegalez fiorentin.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





