*Kontrollohen 150 mjete, sekuestrohen armë zjarri, fishekë dhe kokainë

Një aksion blitz i policisë së Durrësit, ka çuar në arrestimin e 2 personave dhe shoqërimin e 12 të tjerëve për verifikim.

Aksioni i ndërmarrë ditën e hënë, në kuadër të zbatimit të planit të masave për ruajtjen e rendit dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve, u zhvillua në akset rrugore kryesore dhe dytësore të qytetit, ku uniformat blu kishin ngritur pika kontrolli.

Sipas të dhënave, mësohet se janë kontrolluar rreth 150 automjete dhe janë shoqëruar 12 shtetas për verifikim. Po ashtu, janë arrestuar dy të rinj në flagrancë, pasi njëri prej tyre u kap me pistoletë dhe fishekë, ndërsa tjetri me një sasi kokaine.

Në pranga ranë:

● Ledian Lato, 28 vjeç, banues në Tiranë;

● Eriseld Begaj, 29 vjeç, banues në Durrës.

Lato udhëtonte me automjetin tip Honday me targa AA 839 AP dhe gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e krahut (marsup) iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri tip pistoletë, modeli E-Col Special, dhe një krehër me 5 fishekë, kalibër 7.65 mm.

Ndërsa durrsaku Begaj, u kap në lagjen nr. 8 me një sasi kokaine.

Policia bën me dije se kontrolle të tilla do vazhdojnë edhe në ditët në vijim me qëllim ruajtjen e qetësisë dhe të rendit publik.

S.L.