Policia e Kurbinit ka reaguar pas videos së bërë publike që tregonte skena të rënda dhune në Kurbin, ku një person po goditej me levë pa mëshirë nga dy të tjerë në këmbë e trup.

Policia sqaron se videoja e publikuar, i përket ngjarjes së ndodhur më 17.06.2016, në Shëngjin, për të cilën Policia e Lezhës ka reaguar menjëherë pas njoftimit duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar. 

Nga veprimet hetimore të kryera nga Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, është arrestuar në flagrancë autori i dyshuar për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë. 

Gjithashtu, është proceduar një shtetas tjetër për “Plagosje e lehtë me dashje”, është sekuestruar arma e përdorur, dhe të gjitha materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Videoja u publikua në faqen “Jeta Osh Qejf” dhe ka ngjallur shumë reagime dhe zemërim te qytetarët për këtë dhunë barbare të pashoqe.