Në përfundim të emisionit “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në ambientet e televizionit “News 24” kanë zbarkuar disa policisë të skuadrës “Shqiponjat”, të cilët sekuestruan bimën e kanabisit të përdorur nga moderatorja gjatë emisionit.

Me të mbërritur në News 24, oficerët e antidrogës nisën kontaktet me drejtuesit e “News 24”, ndërsa gazetarja Eni Vasili u detyrua të firmosë një procesverbal për dorëzimin e bimës së hashashit dhe të tregojë sesi i ra në duar.

Në përfundim të procedurave nga ana e Policisë së Shtetit, drejtuesja e emisionit ka folur për atë që ndodhi pas emisionit të sotëm ku u fol për kanabisin.

Eni Vasili u shpreh se ka firmosur një procesverbal dhe ka lënë kontakte për t’iu përgjigjur pyetjeve nëse do të ketë keqkuptime. Gazetarja theksoi se e prisnin një reagim të Policisë së Shtetit.