Megjithëse gjatë muajve të fundit janë goditur disa banda hajdutësh, në Durrës duket se vjedhjet nuk do të ndalojnë ndonjëherë.
Një tjetër vjedhje me thyerje ështëe regjistruar gjatë natës në një nga zonat më të populluara të qytetit, në lagjen nr.4, ku pre e hajdutëve ka rënë një dyqan.
Policia informon se po punohet për kapjen e një minoreni 14-vjeçar me iniciale M.P., banues në fshatin Shën Vlash. Dyshohet se ai është autor i vjedhjes me thyerje të dyqanit në pronësi të shtetasit B.H., 62 vjeç. Dyqani ndodhet në lagjen nr.4 dhe bëhet me dije se aty janë marrë një sasi lekësh, raporton “DurrësLajm”.
Vetëm një ditë më parë, policia e Durrësit finalizoi pas një pune hetimore disa mujore operacionin e koduar “Brava”, në kuadër të të cilit u zbardhën dhe u dokumentuan 18 vjedhje banesash të kryera në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit. Nga ky operacion, u ndaluan dy prej autorëve të dyshuar, ndërsa janë ende në kërkim dy bashkëpunëtorët e tyre, që të katërt me banim në Tiranë. Ata bënë kërdinë në Durrës muajt e fundit, duke vjedhur me mijëra para dhe sende me vlerë në shtëpi të ndryshme. Po ashtu, në periudha të ndryshme kohore, policia e Durrësit ka goditur grupe të ndryshme hajdutësh, të përbëra kryesisht nga djem të rinj në moshë, por pavarësisht kësaj, vjedhjet nuk mbarojnë kurrë…
S.L.





