Vijon edhe ditën e sotme kontrolli i imtësishëm në kontenierët e ardhur nga Ekuadori në portin e Durrësit. Mësohet se të pranishëm në kontrollin fizik të kontenierëve janë edhe zyrtarë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në bazë të informacioneve që ka prokuroria, të marra edhe nga partnerët, dyshohet që sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike mund të jenë fshehur në arkat me banane të ardhur nga Amerika Latine.

Hetimi përfshin përgjime të punonjësve të portit, dy prej të cilëve të arrestuar pasi nuk konstatuan në skaner lëndë narkotike dhe u desh qeni i antidrogës për ta zbuluar.

Sakaq, Prokuroria po heton të gjithë stafin e portit të Durrësit, pasi mënyra se si pak ditë më parë u zbuluan 33.5 kg kokainë ishte dyshuese pasi nuk u konstatua nga punonjësit e skanerit.