Në kantierin e rrugës Berat–Ballaban po vijojnë punimet në segmentin Drobonik–Gllavë, me synimin për përfundimin e 10 kilometrave të fundit të këtij aksi.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga punimet në këtë segment, i cili pritet të mbyllë Lotin 3 dhe të finalizojë të gjithë projektin e kësaj rruge strategjike.

“Me një gjatësi prej rreth 60 kilometrash, ky aks rrugor afron ndjeshëm Beratin me Gjirokastrën, dy qytete të mbrojtura nga UNESCO dhe me rëndësi të veçantë historike e kulturore”, shkruan kryeministri.

Rama thekson se ky projekt nuk është thjesht një investim infrastrukturor, por një nyjë lidhëse që forcon rrjetin e turizmit kulturor në jug të vendit, duke shkurtuar kohën e udhëtimit dhe duke përmirësuar aksesin drejt zonave turistike.

Me përfundimin e rrugës, pritet që Berati të bëhet më i aksesueshëm për vizitorët që vijnë nga Gjirokastra, Përmeti dhe zonat kufitare me Greqinë, duke ndikuar në rritjen e turizmit kulturor, zhvillimin e agroturizmit dhe gjallërimin ekonomik të zonave rurale përgjatë këtij aksi.