Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer mësë miri ekipit të Teutës. Mesfushori i bluve, Emiliano Vila, ka analizuar gjendjen e ekipit, ndërsa ka shprehur dhe synimet për sfidën e radhës, të cilën do ta zhvillojnë në Korçë ndaj bardhekuqve të Skënderbeut.
Emiliano, sa i ka shërbyer “pauza” e kampionatit Teutës?
Gjatë kësaj periudhe jemi munduar që të bëjmë një përgatitje sa më të mirë, për të qenë në lartësinë e duhur për ndeshjen kundër Skënderbeut. Lojtarët janë të karikuar dhe të motivuar për fitore, çka është ajo që ne na intereson. Do të luajmë për 3 pikë në fushë, pasi është rezultati që na shkon më shumë përshtat.
Si është gjendja e skuadrës?
Jemi të kënaqur me paraqitjet që ka bërë skuadra, si në seancat stërvitore ashtu edhe në ndeshje. Kemi mungesë pikësh në 2 javë, por që edhe shkrirja e lojtarëve të ardhur do kohën e saj.
A është vendimtare përballja kundër Skënderbeut?
Është një ndeshje specifike, por jo vendimtare për ecurinë në kampionat. Është një kundërshtar direkt dhe një fitore do të na japë më shumë moral për vazhdimësinë. Pres një ndeshje të vështirë, sepse Skënderbeu ka një ekip të mirë, me elementë cilësorë. Gjithsesi, ne do të japim 100% tonë për të marrë maksimumin.
Jeni të kënaqur edhe me një pikë, apo do të synoni me çdo kusht fitoren?
Ne kërkojmë maksimumin, jemi të vetëdijshëm për vështirësinë, por një ekip që ka kërkesa të mëdha për të arritur sukses, duhet të kalojë shumë vështirësi. Do të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë ndaj Skënderbeut.
Keni një kalendar relativisht të vështirë. Pas Skënderbeut, me Vllazninë, dhe Dinamon, të dyja në Durrës. Me sa pikë do të ishit të kënaqur?
Nuk mendoj asnjëherë me plane afatgjatë. Do të doja që t’i fitonim të gjitha ndeshjet dhe kjo është mëse normale. Megjithëse do të duhet t’i bëjmë planet ndeshje pas ndeshjeje. Duhet të marrim më të mirën në ndeshjen kundër Skënderbeut. Normalisht, nëse do të fitonim kundër Skënderbeut, do të na rritej akoma më shumë kërkesa në ekip.