3 shqiptarët nga Kosova, Taulant Duraku, 32 vjeç, Kuan Gashi 26 vjeç dhe Besfort Jaka 40 vjeç janë të arrestuarit në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor”.

“DurrësLajm” mëson se zbulimi i kësaj sasie lënde narkotike u bë gjatë kontrollit doganor në port dhe më pas nisi operacioni i përbashkët policor ku u angazhuan sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, strukturat e Doganave etj.

Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur dokumentimi i një skeme të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim, ku u sekuestruan në port 127 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e njohur në treg me emërtimin “Gelato”, me peshë totale rreth 80 kilogramë dhe me përmbajtje të lartë THC.

Vlera e lëndës narkotike të sekuestruar përllogaritet në treg në rreth 1 milion euro.

Kontrollet e ndërmarra në degën e Doganës së Durrësit, sidomos përgjatë kësaj periudhe të ngarkuar me fluks lëvizjesh në hyrje dhe dalje të kësaj pike kufitare, po japin rezultatet e kërkuara.

Goditja e fundit në portin e Durrësit i shtohet rezultateve të evidentuara gjatë muajve të fundit në një nga pikat më të rëndësishme doganore të vendit.

Nën drejtimin aktual të Degës Doganore Durrës, Drilon Bushati, vihet re një dinamikë e shtuar në kontrolle, analizën e riskut dhe bashkëpunimin me strukturat ligjzbatuese.

“Operacioni i fundit, i realizuar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është një tjetër sinjal i qasjes së shtuar ndaj kontrollit dhe goditjes së trafiqeve të paligjshme.

Një punë që duket se po matet gjithnjë e më shumë me rezultate konkrete”- bëjnë të ditur burime nga dega doganore Durrës.