ITALI – Mbrëmjen e së premtes komuniteti i Villasorit, provinca italiane ku jetonte shqiptari Artan Meta, ishte i gjithi në shesh për t’i dhënë lamtumirën e fundit 45 vjeçarit që gëzonte respektin e të gjithëve. Një gjest mjaft human dhe domethënës që mbart në vetvete një mesazh shumë sinjifikativ; një homazh ndaj një emigranti për të cilin Villasor ishte kthyer në një atdhe të dytë si dhe një apel i heshtur kundër çdo lloj forme dhune që shkakton viktima të pafajshme.
Buqeta dhe kurora të shumta me lule, qirinj dhe pishtarw të ndezur në sheshin kryesor të provincës italiane në nderim të shqiptarit Artan Meta, që fatkeqësisht u nda nga jeta për shkak të një episodi dhune të pajustifikuar. Më pas, një marshim i heshtur nëpër rrugët e qytetit në krye të të cilit qëndronte një pankartë ku shkruhej: Villasor për Artan dhe kundër çdo lloj forme dhune.
Një nga folëset që mori fjalën, e emocionuar theksoi se “nuk do të kishim dashur kurrë që të të përshëndesnim në këtë formë” si dhe falenderoi emigrantin shqiptar Artan Meta, që i kishte zgjedhur si bashkëqytetarët e tij. Ndërkohë kryetari i komunës së Villasorit u shpreh se “marshimi i kësaj nate është i heshtur në homazh të Artan Metës, por edhe të shtyn të reflektosh për t’i thënë jo çdo lloj forme dhune”.
Në krye të marshimit nëpër rrugët e Villasorit ishin dy vëllezërit e Artanit, që falenderuan komunitetin e kësaj zone për respektin e thellë që treguan ndaj familjarit të tyre.
45 vjeçari shqiptar humbi jetën për shkak të dhunës së ushtruar mbi të nga një i ri italian. Artan Meta luftoi për rreth një javë për jetën, por fatkeqësisht goditjet e marra i shkaktuan pasoja mjaft të rënda. Në një gjest të fundit zemërgjerësie, familja e tij dhuroi organet e të ndjerit duke shpëtuar tre jetë të tjera njerëzore.





