Zbulohen detaje të reja nga arrestimi i drejtorit të IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i cili dyshohet se ka kopjuar pa autorizim të dhënat e sistemit TIMS. 

Ai pasi shkarkoi informacionet e paautorizuara duke përdorur pinin e një punonjëseje, i kaloi ato në kompjuterin e tij që është zbërthyer nga hetuesit. 

Gjatë marrjes në pyetje në akuzën paraprake, Muça ka mohuar kryerjen e veprës penale apo të jetë ai personi që ka kopjuar të dhënat e sistemit TIMS. Ervin Muça pretendon se nuk ka qenë në zyrë në rrugën ‘Mine Peza’ pranë Komisariatit nr.3, ditën kur është bërë kopjimi i të dhënave të TIMS. 

Por nga ana tjetër hetuesit kanë në dorë pamje filmike të kamerve të sigurisë në zonë që kanë fiksuar zyrtarin e Policisë së Shtetit në 2 Gusht 2023, ditën që është ndërhyrë në sistemin TIMS. Po ashtu edhe një person tjetër ka deklaruar se Muça ka qenë në zyrë ditën ditën kur është bërë ndërhyrja. 

Mbeten të paqarta motivet se përse drejtorit të IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça ka kopjuar të dhënat e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Në sistemin TIMS ndodhen të regjistruar të gjitha hyrje-daljet jashte vendit të qytetarëve, po ashtu ka edhe të dhëna për persona që janë në kërkim, për ngjarje të rënda kriminale.    

Më 17 Gusht 2023, Ambasada Amerikane në Tiranë ngriti shqetësimin për ndërhyrje në sistemin TIMS dhe kërkoi hetim të çështjes. Duhet theksuar se Prokuroria e Tiranës është duke kryer edhe hetime në drejtim të personave të tjerë. Për këtë çështje është ngritur edhe një komision hetimor parlamentar.