Në maternitetin “Koço Gliozheni” ka ardhur në jetë fëmija i dytë përmes procedurës in vitro.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
“Mirë se erdhe në jetë, bebi Bekim! Sot një zemër e vogël nisi të rrahë mes duarve të dy prindërve të mbushur me dashuri, Lumturia dhe Bledari. Ky është fëmija i dytë që vjen në jetë përmes procedurës in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni”, pas lindjes së vogëlushes Soreja në dhjetor. Dy histori të ndryshme, dy familje të ndryshme, por e njëjta ndjenjë që na bashkon të gjithëve: gëzimi i jetës që lind nga shpresa”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “fertilizimi in vitro mbulohet financiarisht nga shteti edhe gjatë vitit 2025, duke u ardhur në ndihmë 150 çifteve në të dyja maternitetet “Koço Gliozheni” dhe “Mbretëresha Geraldinë” që përballen me vështirësi për të sjellë në jetë një fëmijë”.
Mjeku që ka ndjekur pacienten tha se “Lumturia ka 20 vjet martuar, ka pasur dy fertilizime in vitro në shërbimet private dhe fati e deshi, siç thotë ajo, të vinte në maternitetin tonë”. Lumturia falënderoi stafin mjekësor për realizimin e ëndrrës së saj.
Për herë të parë, sistemi shëndetësor publik ofron shërbimin e fertilizimit in vitro (FIV) falas për çiftet që përballen me infertilitetin, përmes Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) pranë Maternitetit “Koço Gliozheni”.
Paketa e fertilitetit synon të mbështesë çiftet e reja përmes shërbimit falas të Fertilizimit in Vitro (FIVET).