Fjalëkalimi është mbijetesa. Objektivi, pikët për të qëndruar në elitë. Prej fazës së parë të kampionatit, ndeshja ndërmjet Vllaznisë dhe Teutës është cilësuar një sfidë direkte për të qenë pjesë e më të mirëve edhe gjatë sezonit të ardhshëm. Në distancën e pesë muajve, situata ka ndryshuar pak. Kuqeblutë dhe durrsakët janë në kërkim të pikëve që do të evitonin rënien nga kategoria. Më pozitive atmosfera te shkodranët, që këtë të diel në Loro Boriçi do të provojnë të vijojnë serinë e fitoreve përballë publikut të tyre pas asaj me Laçin. Një tjetër sukses ndaj rivalëve direkt do të shërbente dyfish, për renditjen dhe për vazhdimësinë.

Në këtë mënyrë, Vllaznia do të rriste distancën e sigurisë nga skuadrat e përfshira në luftën për mbijetesë dhe do të mund të përqendrohej të gara për vendin e katërt.I ndryshëm momenti që po përjeton Teuta. Starti i vitit 2017 i dha një implus të ri skuadrës së Gugash Maganit, që me 11 pikë në gjashtë ndeshje iu largua zonës së rënies nga kategoria. Por, disfata e fundit në shtëpi përballë Luftëtarit riktheu frikën në radhët e durrsakëve, që duhet ti rikthehet sa më shpejt ecurisë pozitive. Në të kundër diferenca e pikëve nga vendi i parafundit në renditje, rrezikon të mos mjaftojë.