Teuta – Tirana u zhvillua në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”. Vajzave bardheblu të trajnerit Adrian Gorenca u mjaftuan 1 orë e 21 minuta lojë për “të kopsitur” fitoren në shifrat 0-3. Ndonëse fillimisht ishin bregdetaret ato që bënë disi më mirë, duke kryesuar deri në pikët 16-14, më tej kryeqytetaset ndryshuan marsh. Të udhëhequra nga kapitenia Enkeleda Braho, Tirana e mori lojën nën kontroll për ta fituar setin e parë 20-25.

Edhe në setin e dytë Teuta provon fillimisht të rezistojë, por Tirana përmirësohet dhe fiton 18-25. Në setin e tretë loja nuk ka histori, pasi miket shkëputen në pikë dhe fitojnë thellë 12-25, duke hipotekuar 3 pikët në kampionat. Enkeleda Braho, me 16 pikë, udhëhoqi ofensivën bardheblu në këtë sfidë, ndërsa për Teutën shënuesja më e mirë ishte rusja Alisa Trubyuk me 10 pikë.