Teuta mposhti Tiranën 3-1 në Durrës, në një sfidë që zgjati 1 orë e 40 minuta e vlefshme për Superligën në volejboll meshkuj. Teuta e filloi furishëm, duke marrë setin e parë bindshëm në shifrat 25-15, ndërsa bardheblutë e Arben Sakos u kundërpërgjigjën në fraksionin e dytë, duke fituar edhe më thellë, 12- 25.

Seti i tretë ishte më i bukuri i ndeshjes, me bregdetarët që fituan pas pikëve shtesë 28-26, një set që u dha më shumë besim vendëse, të cilët i mbyllën llogaritë duke triumfuar në fraksionin e katërt 25-15. Me këtë fitore Teuta ngjitet në vendin e katërt, duke parakaluar Vllazninë dhe Tiranën. Jorge Delfino me 20 pikë dhe Asmend Kula me 19 udhëhoqën ofensivën durrsake, ndërsa për Tiranën shënuesi më i mirë ishte meksikani Isaias Aguirre Gallegos, autor i 15 pikëve.